
Autoritetet greke kanë ndaluar hyrjen në territorin e tyre për gazetarin investigativ Artan Hoxha, duke e shpallur zyrtarisht “person të padëshiruar” dhe “kërcënim për rendin publik”. Vendimi i komunikuar ditën e djeshme në pikën kufitare të Kakavijës, e ndalon gazetarin të hyjë në Greqi për një afat të pacaktuar, praktikisht përgjithmonë.
Hoxha ishte duke udhëtuar drejt Janinës kur, gjatë kontrollit të dokumenteve, policia kufitare greke i njoftoi se hyrja në territorin e Republikës së Greqisë nuk lejohej, pasi konsiderohej “rrezik për rendin publik dhe sigurinë e brendshme”. Pasi i është marrë pasaporta dhe është mbajtur rreth një orë në ambientet e policisë, rreth orës 10:30 me orën lokale, gazetarit iu dorëzua vendimi zyrtar.
Në dokumentin e autoriteteve greke thuhet se:
-Ai është karakterizuar si person i padëshiruar.
-Konsiderohet i rrezikshëm për rendin publik, sigurinë e brendshme, shëndetin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të një ose disa shteteve të BE-së.
-Pas komunikimit të vendimit, policia kufitare i vendosi një kryq me stilolaps mbi vulën e hyrjes në pasaportë dhe e urdhëroi të largohej menjëherë drejt territorit shqiptar.
Rasti i Hoxhës nuk është i pari. Më herët, edhe gazetarit të Top Channel, Marin Mema, i është ndaluar hyrja në Greqi pas raportimeve të tij mbi çështje të ndjeshme që përfshijnë të drejtat e shqiptarëve, pronësinë e tokave dhe politikën identitare në jug të Shqipërisë. Vendime të tilla janë kritikuar shpesh si shkelje e lirisë së shtypit dhe si masa që synojnë të penalizojnë gazetarët që ngrenë zërin për çështje historike, etnike apo politike që Greqia i konsideron të ndjeshme.
Edhe pse vend anëtar i Bashkimit Europian, Greqia ka vijuar herë pas here, sipas kritikëve, praktika që perceptohen si diskriminuese ndaj gazetarëve shqiptarë të angazhuar në investigime mbi çështje të historisë, minoritetit apo veprimtarive të dyshimta që përfshijnë aktorë lokalë grekë.
Gazetarit Hoxha i është komunikuar se vendimi për shpalljen e tij “non grata” ka hyrë në fuqi në fillim të vitit 2024, në kulmin e fushatës për zgjedhjet e Parlamentit Europian. Pikërisht në atë periudhë, partia e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, Nea Dimokratia, kandidoi Fredi Belerin me shtetësi shqiptare dhe greke si eurodeputet.
Hoxha është ndër zërat më kritikë ndaj aktivitetit të Belerit, sidomos lidhur me “Masakrën e Peshkëpisë” të vitit 1994, ku u vranë dy efektivë shqiptarë dhe ku, sipas investigimeve të tij, kanë qenë të përfshirë elementë të policisë greke dhe anëtarë të organizatës ultranacionaliste MAVI, mes tyre edhe vetë Beleri.
Gjatë viteve 2023–2024, Hoxha është përballur edhe në procese gjyqësore në Gjykatën Penale të Tiranës, pas padive të ngritura nga Beleri për shkrimet e tij investiguese.
Gjatë fushatës së vitit 2024, gazetari ka bashkëpunuar me disa media greke për publikimin e dosjeve dhe artikujve ku pretendohej se Beleri kishte ndihmuar shtetas shqiptarë me rekorde kriminale t’i shmangeshin drejtësisë greke përmes manipulimeve të statusit të minoritetit.
Karriera e Artan Hoxhës është e lidhur ngushtë me investigime mbi tema që shpesh kanë trazuar opinionin publik:
-skandali i varrezave të ushtarëve grekë në territorin shqiptar,
-zhvarrosjet në Kosinë, ku sipas pretendimeve, eshtra të banorëve vendas paraqiteshin si ushtarë grekë të Luftës së Dytë Botërore,
-Masakra e Peshkëpisë, sulm i armatosur nga një komando e ardhur nga Greqia, që konsiderohet ngjarja më e rëndë ndaj sovranitetit shqiptar pas viteve ’60,
-publikimi i pamjeve të Bularatit në 2018, ku sipas Hoxhës, Konstandinos Kacifas nuk ishte viktimë e një përplasjeje etnike, por person i armatosur që hapi zjarr ndaj policisë shqiptare.
Në të gjitha këto raste, publikimet e Hoxhës kanë sfiduar narrativat zyrtare të qeverisë greke dhe organizatave të ekstremit të djathtë në Greqi, duke “prekur nervat” e një çështjeje të hershme dhe tepër të ndjeshme: raportet greko–shqiptare.
