
Aktorit George Clooney sot i intereson më shumë të gatuajë çdo mëngjes për dy fëmijët e tij sesa çdo film, çmim apo tapet i kuq. Këtë ai e ka thënë shpesh: që nga viti 2017, kur bashkëshortja e tij Amal Alamuddin e bëri baba të binjakëve Ella dhe Alexander, prioritetet e tij janë përmbysur.
Në një intervistë për TéléCable Sat Hebdo, duke folur për ndikimin që ka fama te roli i tij si prind, Clooney rrëfeu me humor dhe sinqeritet:
“Fëmijët e mi nuk e kuptojnë famën time dhe kjo është perfekte. Për ta unë jam ai që u bëj pancake, zakonisht katastrofike.”
Megjithatë, edhe pse nuk e konceptojnë saktësisht kush është babai i tyre për publikun, ai pranon se Ella dhe Alexander “po mbajnë mbi supe peshën e famës” së tij:
“Të dalësh jashtë mund të bëhet e komplikuar. Do të ishte bukur të shkoje në supermarket i qetë. Por nuk kam ndërmend të sillem si njeri i pakënaqur. Kam një jetë të jashtëzakonshme.”
Që prej vitit 2021, George dhe Amal jetojnë me fëmijët në pronën Domaine du Canadel në Brignoles, në jug të Francës. Zgjedhja nuk është rastësore: qëllimi është që binjakët të rriten sa më larg zhurmës së Hollywood-it.
“Jemi shumë me fat. Jetojmë në një fermë në Francë,” –ka treguar ai në një intervistë muajin e kaluar.
“Pjesën më të madhe të fëmijërisë sime e kam kaluar në një fermë dhe, kur isha i vogël, e urreja këtë ide. Tani, për fëmijët e mi është diçka pozitive: nuk rrinë gjithë kohën në iPad, kupton? Hanë darkë me të rriturit dhe duhet të mbledhin tavolinën. Kanë një jetë shumë më të mirë.”
Ai pranon se e ka pasur frikë idenë për t’i rritur fëmijët në Los Angeles, në një kulturë ku fama është gjithçka:
“Kisha frikë t’i rritja në Los Angeles, në kulturën e Hollywood-it. Kisha ndjesinë se nuk do ta kishin kurrë rastin e tyre të vërtetë në jetë. Në Francë, njerëzit nuk e kanë aq me merak famën. Nuk dua që të shqetësohen për paparacët. Nuk dua që të krahasohen gjithë kohës me fëmijët e tjerë të famshëm.”
Clooney flet shpesh për binjakët. Në tetor, gjatë premierës në New York të filmit të tij të fundit Jay Kelly, ai tregoi se i çon vetë në shkollë “çdo mëngjes”. Pikërisht për ta ka vendosur të ulë ritmin e karrierës:
“Nuk kam më atë nxitimin e çmendur për sukses. Kam pasur një karrierë shumë të larmishme dhe, siç e dini, në një pikë gjërat vijnë drejt fundit. Tani mund të rri në shtëpi me fëmijët e mi dhe argëtohem shumë. Jam ende mjaftueshëm i ri për të luajtur me ta.”
Vitet e fundit, aktori ka pranuar shpesh se martesa me Amal-in dhe ardhja në jetë e binjakëve i kanë mbushur boshllëqe që s’i dinte se i kishte:
“Nuk kisha qenë kurrë më parë në një situatë ku jeta e dikujt tjetër të ishte pafundësisht më e rëndësishme se e imja.”
Dhe të mendosh se pas divorcit nga aktorja Talia Balsam, në vitin 1993, ai ishte i bindur për të kundërtën:
“Nuk do të martohem më. Nuk do kem fëmijë. Kam punën, kam shumë miq, jeta ime është plot, gjithçka është perfekte.”
Pastaj në jetën e tij erdhi Amal avokatja e shquar e të drejtave të njeriut dhe për ish “latin lover-in” e famshëm që kishte kaluar nga një lidhje në tjetrën (Renee Zellweger, Krista Allen, Elisabetta Canalis, Stacy Keibler e shumë të tjera), gjithçka ndryshoi. Ai u martua në një ceremoni madhështore në Venecia në vitin 2014 dhe më pas u bë baba i dy binjakëve, të cilëve mundohet t’u sigurojë, pavarësisht famës së tij planetare, një fëmijëri sa më normale.
Sa normale? Mjafton ta mbyllim me fjalinë më të bukur të tij:
“Për ta, unë jam thjesht ai që bën pancake, shpesh katastrofike.”
