
Vështirë të gjesh sot dikë që nuk konsumon tërshërë. Të gjithë e njohim në formën e drithërave apo porridge për mëngjes, por përfitimet e saj nuk kufizohen vetëm në orët e para të ditës, përkundrazi, mund të jetë një zgjedhje shumë e mirë edhe në darkë.
“Në përgjithësi, nuk i rekomandoj drithërat apo karbohidratet në mbrëmje. Në rastin e tërshërës, mund të konsumohet në sasi të vogla, sepse është karbohidrat me përthithje të ngadaltë, e pasur me fibra dhe me pak kalori,” –shpjegon Dr. Conchita Vidales, drejtuesja e Njësisë së Nutrigenetikës në DEMYA Madrid.
“Tërshëra është perfekte nëse duam një darkë të lehtë, por që të na ngopë dhe të na rigjenerojë, gjithmonë e kombinuar me proteina, perime ose fruta. Mund të jetë shumë e dobishme për të shmangur ‘snack-et’ e panevojshme ose ushqimet më kalorike. Për më tepër, është një drith i lehtë për t’u tretur, ndaj na ndihmon të flemë më mirë,” -shton ekspertja.
Si ta konsumojmë tërshërën në darkë
Edhe pse nutricionistja e rekomandon tërshërën si për ditën ashtu edhe për natën, ajo këshillon të mos e përdorim si të vetmen pjesë të vaktit:
“Nuk do ta rekomandoja tërshërën si zëvendësim të plotë të darkës. Mund të përgatisim, për shembull, një omëletë ose një crêpe me tërshërë, vezë dhe pak qumësht bimore, duke i rritur kështu vlerën ushqyese dhe fuqinë ngopëse.
Nëse nuk duam ta zëvendësojmë darkën, por vetëm ta plotësojmë me tërshërë, një mundësi shumë e mirë është ta shtojmë në kos ose kefir me fruta pylli, si një ëmbëlsirë të shëndetshme,” –sugjeron ajo.
Kështu marrim probiotikë nga kosi/kefiri, të cilët plotësojnë efektin prebiotik të tërshërës dhe përmirësojnë mikrobiotën e zorrëve.
Vidales thekson se, duke e kombinuar tërshërën në këtë mënyrë, shfrytëzojmë maksimalisht përfitimet e saj dhe i rrisim vlerat ushqyese.
Cilat janë konkretisht këto përfitime?
-Ngopje afatgjatë:
Tërshëra krijon ndjesi të fortë ngopjeje, ndihmon në parandalimin e ngrënies mes vakteve dhe mban nën kontroll urinë e vonë të mbrëmjes.
-E pasur me fibra:
Fibrat e saj përmirësojnë tretjen, nxisin tranzitin intestinal dhe ndihmojnë në reduktimin e fryrjes së barkut.
-Indeks i ulët glicemik:
Falë indeksit të ulët glicemik, ndihmon në mbajtjen stabile të niveleve të sheqerit në gjak, çka mbështet edhe kontrollin e peshës trupore.
-Ndihmon gjumin:
Tërshëra mund të favorizojë një gjumë më të mirë, jo vetëm sepse është e lehtë për t’u tretur, por edhe sepse përmban melatoninë hormon që rregullon ciklin e gjumit dhe triptofan, një aminoacid që ndihmon në relaksim.
Më mirë në mëngjes apo në darkë?
Sipas doktoreshës, gjithçka varet nga ajo që duam të arrijmë:
“Nëse synimi është të kemi më shumë energji dhe një efekt të fortë ngopës gjatë ditës, do ta rekomandoja në mëngjes,” –thekson ajo.
Shembull recete e lehtë e kripur me tërshërë për darkë:
½ filxhan (40–50 g) tërshërë
1 vezë (ose 2 të bardha veze nëse duam variant më të lehtë)
½ filxhan perime të grira: karotë, spinaq, qepë, spec etj.
2–3 lugë gjelle ujë ose qumësht (për të rregulluar masën)
1 lugë çaji vaj ulliri
Kripë dhe piper sipas dëshirës
Opsionale: shafran i Indisë, hudhër pluhur, rigon, djathë i grirë, majdanoz
Artikull i përkthyer nga Elle
