
“E urrej dhe e dua. Do të pyesësh si mundem. Nuk e di, por e ndiej që është kështu, dhe kjo më dërrmon.”
-Katuli
Katuli e njihte shumë mirë ambivalencën emocionale. Shekuj para se psikologjia ta përkufizonte, poeti romak, me vetëm dy vargje, kishte kapur e përshkruar në mënyrë perfekte atë paradoks të dhimbshëm të brendshëm.
Të ka ndodhur ndonjëherë të ndihesh i ndarë më dysh mes dy emocioneve që përplasen me njëra-tjetrën, por bashkëjetojnë në të njëjtin moment? Të ndjesh në të njëjtën kohë afeksion dhe bezdi për të njëjtin njeri; entuziazëm dhe frikë për të njëjtën zgjedhje; lehtësim dhe mall në fund të diçkaje?
Sigurisht që të ka ndodhur, u ndodh të gjithëve.
Dhe jo, nuk do të thotë që je i paqëndrueshëm, i pavendosur apo “i dobët”: do të thotë thjesht që je njeri.
Ambivalenca emocionale është ajo gjendje ku ndjenjat mbivendosen, kundërshtojnë njëra-tjetrën, por prapë bashkëjetojnë si dy nota që, kundër çdo logjike, arrijnë të krijojnë një lloj harmonie. Është një nga përjetimet më intime dhe më komplekse të jetës, e aftë të na ngatërrojë, por edhe të na kujtojë sa i thellë, i gjallë dhe i ndërlikuar është universi ynë i brendshëm.
Kur flasim për ambivalencë emocionale, flasim për aftësinë ose ndonjëherë për mundimin për të përjetuar emocione të kundërta për të njëjtën person, situatë apo ide.
Është ai çast kur ndihesh në konflikt me veten:
do dhe frikësohesh, dëshiron dhe refuzon, buzëqesh ndërsa ndjen një lëmsh në fyt. Në të vërtetë, nuk ka asgjë “të çuditshme” këtu: bota jonë e brendshme fatmirësisht nuk funksionon bardh e zi.
Psikologët që merren me ambivalencën emocionale shpjegojnë se emocionet e kundërta mund të bashkëjetojnë sepse përpunohen nga rrjete të ndryshme të trurit, të cilat aktivizohen paralelisht. Nuk bëhet fjalë për konfuzion, por për kompleksitet: një mendje që arrin të perceptojë dhe të mbajë brenda vetes sinjale të ndryshme.
Është si të dëgjosh një dialog mes dy pjesëve të vetes që mendojnë ndryshe, por që, duke “debatuar”, arrijnë të tregojnë një të vërtetë më të plotë. Ta pranosh këtë bashkëjetesë nuk është shenjë dobësie: është të pranosh që të ndjesh shumë edhe në drejtime të kundërta do të thotë të jesh gjallë.
Pse mund të ndiejmë emocione kontradiktore?
Kur përjeton emocione të kundërta, disa zona të trurit aktivizohen njëkohësisht, duke krijuar reagime të ndërlikuara.
Kështu, mund të jesh i lumtur për një mundësi të re dhe njëkohësisht i frikësuar nga ajo që po lë pas. Mund të ndihesh krenar për një arritje, por edhe pak nostalgjik për rrugën e vështirë që të çoi deri aty.
Nga këndvështrimi psikologjik, ambivalenca është pasojë e natyrshme e kësaj strukture kaq të sofistikuar emocionale: një ekuilibër delikat mes emocioneve bazë (si gëzimi, zemërimi, frika) dhe atyre më të përpunuara, që lidhen me përvojën, kujtesën, reflektimin.
Nëse do të ishim “programuar” të ndjenim vetëm një emocion në një kohë, jeta do të ishte shumë më e thjeshtë dhe shumë më e varfër.
Aftësia për të mbajtur brenda vetes ndjenja kontradiktore është pikërisht ajo që na bën njerëzorë, të thellë, të aftë për empati dhe vetë–reflektim.
Shembuj ambivalence emocionale në jetën e përditshme
Ambivalenca shfaqet në gjërat më “të zakonshme”:
Kur e do shumë një njeri, por ka momente kur do ta dërgoje me qejf “në Mars”.
Kur përpara një vendimi të madh, pret me padurim për të filluar dhe ke frikë mos po gabon.
Kur një zhvendosje, një promovim apo lindja e një fëmije sjellin bashkë gëzim dhe ankth, entuziazëm dhe pasiguri.
Në përditshmëri, ambivalenca është zëri që të thotë:
“Më në fund!”
dhe një sekondë më pas:
“Po a jam me të vërtetë gati?”.
Është nostalgjia që të zë në fund të një pushimi që e ke pritur me muaj, ose lehtësimi i përzier me trishtim pas një ndarjeje të domosdoshme.
Sa herë zemra dhe arsyeja tërheqin në drejtime të ndryshme, aty hyn në lojë ambivalenca dhe të kujton se jeta nuk futet dot në formula të thjeshta.
Si ta menaxhojmë ambivalencën pa na përpirë?
Ambivalenca emocionale nuk duhet as demonizuar, as shtypur.
Të përpiqesh ta “shkulesh” nga vetja është si të përpiqesh t’i mbyllësh gojën një pjese të shpirtit nuk funksionon dhe, me kohë, vetëm e rrit tensionin e brendshëm.
Hapi i parë është ta emërtosh atë që po ndien:
edhe kur dy emocione duket se përplasen, t'u vësh emër u ul fuqinë dhe rrit qartësinë.
Hapi tjetër është t’i japësh kohë vetes. Të kuptosh pse do dhe frikësohesh nga e njëjta gjë kërkon durim dhe gatishmëri për t’u ulur ballë për ballë me botën tënde të brendshme.
Ta pranosh ambivalencën nuk do të thotë të dorëzohesh, por të mësosh të qëndrosh në mes të dy poleve pa u gjykuar. Kjo është një formë inteligjence emocionale: të lejon të zgjedhësh me më shumë kthjelltësi, në vend që të reagosh me impuls.
Në fund të fundit, të jesh në ekuilibër të brishtë mes dy emocioneve shpesh është shenjë që je në proces rritjeje: po kalon një prag, dhe çdo prag nga natyra është i dyfishtë një këmbë në të vjetrën, një këmbë në të renë.
