Këngëtarja Nora Istrefi ishte së fundmi e ftuar në emisionin “Robi Plaket Kur Don Vet”, të drejtuar nga ish-bashkëshorti i saj, Robert Berisha, duke sjellë në ekran një takim të rrallë mes dy ish-partnerëve që prej vitesh kanë ndarë rrugët në jetën private, por jo përgjegjësinë si prindër.

Intervista u fokusua te dinamika e bashkëprindërimit, sfidat personale e profesionale dhe mënyra se si ata kanë zgjedhur ta vendosin vajzën e tyre Renee në qendër të çdo vendimi. Atmosfera në studio ishte e qetë, e sinqertë dhe me tone respekti të ndërsjellë, duke reflektuar një marrëdhënie të pjekur mes dy ish-bashkëshortëve.

Megjithatë, momenti kulmor i emisionit erdhi kur Robert Berisha surprizoi Norën me një gjest simbolik. Ai nxori një kuti të vogël bizhuterish dhe i dhuroi një unazë me diamant, të cilën siç sqaroi e kishte blerë në Shtetet e Bashkuara. 

“Këtë unazën e mban ti deri sa Renee i bën 18 vjet,” –i tha ai Norës, duke shpjeguar se unaza nuk përfaqësonte një rikthim sentimental, por një premtim për vajzën e tyre.

Në këtë mënyrë, unaza u kthye në një simbol të lidhjes së përhershme prind–fëmijë, një kujtim që do të ruhet nga nëna dhe t’i dorëzohet Renees kur ajo të arrijë moshën madhore.