
Ronela Hajati ka zgjedhur rrjetet sociale për të shprehur lodhjen dhe zhgënjimin e saj nga gjuha e ashpër dhe komentet fyese që merr prej vitesh. Në një shkrim të gjatë në Instastory, këngëtarja tregon se nuk është më e zemëruar, por e konsumuar emocionalisht nga një cikël që duket se përsëritet pa fund.
“Sa herë më vjen të shkruaj, të shfryj duf, e sa herë të tjera më kujtohet kur e kam bërë dhe çdo gjë ka shkuar në vesh të shurdhët,” shkruan ajo, duke lënë të kuptohet se ndjesitë e saj shpesh nuk merren seriozisht, pavarësisht se i ka artikuluar publikisht.
Ronela ndalet te realiteti i të qenit artiste në një mjedis ku muzika dhe puna shpesh injorohen, ndërsa vëmendja përqendrohet te pamja dhe gjykimi personal:
“Një punë që sytë e pasionit dhe dashurisë për muzikën i ka zhytur në një gropë toksike komentesh të ndyra, por po aq të pavlera njëkohësisht, ndërkohë që duhet të këndosh e të gëzosh ata njerëz që shumica do murmurisnin ndër dhëmbë: ‘Kush e ka këtë?’, ‘Ç’është bërë kjo kështu?’, ‘Operacionet’, ‘Lopë’, ‘Ç’i duket vetja?’.”
Më tej, ajo tregon se pas imazhit publik fshihen përgjegjësi dhe pesha të jetës së përditshme që shpesh publiku nuk i sheh:
“Ndërkohë mund t’i kesh lotët në grykë, se ke fatura mbi shpinë, familje mbi shpinë, fëmijë që të presin, një dashuri që s’e ke më, prindër që kanë shpresat te ti, prindër të sëmurë, punë burrash që i kemi bërë që 20 vjeç pa mbështetjen e askujt.”
Këngëtarja rrëfen se Shqipëria i ka dhënë njëkohësisht arsye për ta lënë, por edhe arsye për të qëndruar, duke e theksuar dhimbjen e saj kryesore: kulturën e fjalës së ashpër dhe negativitetit:
“E ndonjëherë, në këtë vend, edhe pse s’jam si të gjithë, më ka dhënë qindra e mijëra arsye ta lë e s’e lashë… vazhdoj e më dhemb pyetja: Pse jemi kaq të ligj, kaq shpesh?”
Në fund, Ronela e mbyll mesazhin me një reflektim të thjeshtë, por domethënës për vlerën e humanitetit në një realitet ku kritika shpesh kalon në fyerje:
“E nëse sot duhet të jemi falenderues, përveç shëndetit, jemi bërë të falenderojmë Zotin që kemi zemër të mirë.”

