Emisioni i mëngjesit “Wake Up” në Top Channel ka hyrë zyrtarisht në një fazë të re. Pas një jave rotacionesh dhe zëvendësimesh, Heidi Baçi është rikthyer në studio si moderatore përballë Blendi Salajt dhe, do të jetë dyshja e përhershme që do të zgjojë shikuesit çdo mëngjes.

Pas largimit të papritur të Enxhi Nasufit dhe Neada Muçajt nga “Wake Up”, Top Channel u përball me nevojën për të ridimensionuar formatin dhe për të gjetur një balancë të re në ekranin e mëngjesit. Ditët e para pas ndryshimeve, programi u hap nga Blendi Salaj me të ftuara dhe prezantuese të ndryshme, ndër të cilat edhe Heidi, e cila u shfaq fillimisht si zëvendësuese e përkohshme.

Prania e saj u prit mirë nga publiku, sidomos duke qenë se Heidi vjen nga një eksperiencë e bujshme në reality show dhe ka krijuar një bazë të fortë fansash. Kjo e bëri një nga emrat më të përfolur si zëvendësuese natyrale të dy moderatoreve të mëparshme. Tashmë, me rikthimin e saj të konfirmuar në krah të Blendi Salajt, duket se Top Channel ka vendosur të mbyllë kapitullin e eksperimenteve dhe të konsolidojë një dyshe fikse.