
Filmi “Ghost” mbush 35 vjet një histori dashurie mes Sam dhe Molly-t, që vazhdon edhe përtej vdekjes. Filmi thyen rekorde në arkëtime dhe mbetet një klasik i pop–kulturës: nga skena e famshme te qeramika me “Unchained Melody” në sfond, te roli brilant i Whoopi Goldberg që i solli asaj Oscar-in. Por një tjetër element i paharrueshëm është pikërisht prerja e flokëve e Demi Moore.
Look-u i saj në film njihet si prerja “bowl cut”, por në fakt nuk është “klasikja” që kemi në mendje. Flokët janë të shkurtër në pjesën e pasme, qafa krejtësisht e lirë, ndërsa gjithë fokusi bie te balluket e gjata dhe të dendura, që i japin volum dhe formë fytyrës.
Ishte një prerje e guximshme, shumë moderne për kohën, që Demi e zgjodhi pa shumë hezitim gjatë një udhëtimi në Paris me bashkëshortin e atëhershëm Bruce Willis dhe vajzën e tyre të parë, Rumer.
Si lindi prerja legjendare?
“Mbaja prej vitesh në portofol një foto të Isabella Rossellini-t me këtë prerje të mahnitshme të shkurtër, duke pritur vetëm momentin e duhur,” –ka treguar Demi Moore për revistën People.
“Ndoshta ishin hormonet pas shtatzënisë, por thjesht ktheva qoshen, hyra në një parukeri në rrugën e Parisit ku po qëndronim dhe e bëra. Nuk flisja frëngjisht, kështu që nxora foton dhe e pyeta: ‘A mund t’i kem kështu?’”.
Asnjë nga ekipi i “Ghost” nuk e dinte që ajo kishte prerë flokët. Demi pranon se në fillim pati pak panik nga ana e produksionit ata e kishin menduar personazhin me flokë të gjatë. Por shumë shpejt kuptuan se kjo prerje ishte perfekte për Molly-n: artiste, ceramiste, moderne, pak “androgjene”, shumë autentike. Çdo gjë u lidh në mënyrë ideale me rolin.
A do t’i priste sërish flokët sot?
Sot, Demi është e lidhur fort me flokët e saj të gjatë, të errët, ultra-femërorë. E pyetur nëse do të rrezikonte përsëri një prerje si ajo e Ghost:
Ajo thotë se në jetë “kurrë mos thuaj kurrë”, por për momentin ndjehet shumë e lidhur me gjatësinë aktuale të flokëve dhe nuk mendon se do të bënte sërish një ndryshim kaq drastik.
Prerja e saj e vitit 1990, megjithatë, mbetet në histori: një nga ato raste ku një vendim spontan te parukieri kthehet në një ikonë të përjetshme të kinemasë dhe modës.
