Historia e bukurisë është plot trende që në fakt nuk janë aspak miqësore me trupin tonë. Fatmirësisht, sot dimë shumë më tepër dhe mund të zgjedhim me vetëdije si të kujdesemi për veten pa u bërë dëm flokëve e lëkurës. Megjithatë, sa herë vjen puna te trendet, tundimi mbetet i madh. Shembulli perfekt? Topuzi i lëmuar, i kapur fort pas, i njëjti stil slick që e shohim kudo në Instagram, në pasarelat e në jetën e përditshme.

I rehatshëm kur flokët s’janë të sapolarë, zgjidhje e shpejtë kur “nuk rrinë”, xheli i jep efekt super të rregullt… por ka edhe një anë tjetër të medaljes, sidomos për ata që e mbajnë çdo ditë. Tërheqja konstante e forte e flokëve mund të lodhë rrënjën, të shkaktojë thyerje të fijeve dhe, në rastet më ekstreme, edhe fillim të alopecisë nga tensioni në zonën e vijës së ballit apo ku lidhet gërsheti.

Kjo nuk do të thotë se duhet të heqësh dorë përgjithmonë nga chignoni i preferuar. Çelësi është masa dhe balanca: mos e shtrëngo gjithmonë në të njëjtin vend, alternoje me kapje më të lira, përdor gomina të buta dhe mos e mbaj të njëjtin model të tërhequr për orë të tëra, çdo ditë. Trendi mund të jetë i fortë, por flokët s’kanë pse të vuajnë për të.