
Për të hyrë te lista e Forbes 2025 me 50 gratë “self-made” më të pasura në planet, duhen të paktën 2.1 miliardë dollarë pasuri të fituar jo me trashëgimi, por me punën, idetë dhe rrezikun personal. Vetëm kjo shifër mjafton për të kuptuar dy gjëra: sa larg kanë shkuar gratë në biznes dhe sa gjatë rrugës ka ende për t’u bërë.
Lista e re e Forbes nuk është thjesht një renditje miliarderësh; është një pasqyrë e gjendjes së sipërmarrjes femërore sot dhe e mënyrës si shpërndahet pasuria në botë.
Sipas Global Entrepreneurship Monitor, sot në botë ka rreth 658 milionë gra sipërmarrëse (themeluese apo pronare kompanish), përballë 772 milion burrave. Diferenca ende ekziston, por ritmi i rritjes është në anën e grave:
-gati 2/3 e grave sipërmarrëse janë në fazat e para të biznesit,
-gratë miliardere self-made janë sot rreth 50% më shumë se në vitin 2017.
Pra, gratë nuk po presin më “të ftohen në tryezë” po e ndërtojnë vetë tryezën.
Shifrat e ftohta e tregojnë qartë pabarazinë:
-50 burrat self-made më të pasur në botë kanë bashkë 3 800 miliardë dollarë pasuri,
-50 gratë self-made të listës së Forbes kanë 14 herë më pak.
Në total, në klubin global të miliarderëve self-made:
-janë rreth 1 920 burra,
-mbi 18 herë më shumë se gratë.
Kush e kryeson listën e 50 grave self-made më të pasura?
Në krye të listës nuk janë domosdoshmërisht emrat që shohim çdo ditë në Instagram:
Rafaela Aponte-Diamant (Zvicër) – me rreth 38.8 miliardë dollarë, është gruaja self-made më e pasur në botë, falë kompanisë së transportit detar Mediterranean Shipping Company, që e themeloi me bashkëshortin.
Diane Hendricks (SHBA) – e dyta në listë, me 22.3 miliardë dollarë, mbretëresha e materialeve të ndërtimit me kompaninë ABC Supply.
Zhou Qunfei (Hong Kong) – dikur punëtore fabrike, sot miliardere me 10 miliardë dollarë, falë kompanisë Lens Technology që prodhon ekranet touch për Apple, Samsung, Tesla.
Në listë gjejmë edhe emra nga botë që njohim shumë mirë:
Oprah Winfrey – perandoria e saj e programeve televizive dhe mediave e çon në rreth 3.1 miliardë dollarë pasuri personale.
Melanie Perkins (Australia) – bashkëthemeluese e Canva, me rreth 5.8 miliardë dollarë, simbol i një start-upi që demokratizoi dizajnin.
Maggie Gu dhe Molly Miao (Kinë) – dy nga figurat kryesore pas gjigandit Shein, secila me rreth 3.7 miliardë dollarë.
Ku janë gratë self-made më të pasura?
Gjeografia e listës flet po aq sa shifrat:
Gati gjysma e grave vjen nga rajoni Azi–Paqësor: nga Kina, Hong Kongu, Indonezia, Australia, India.
20 gra janë nga Amerika e Veriut, kryesisht SHBA dhe Kanada– nga teknologjia tek agrobiznesi, nga fast food tek software-i.
Vetëm 6 gra janë nga Evropa– dhe kjo flet shumë për ritmin më të ngadaltë me të cilin kontinenti i vjetër po prodhon miliardere self-made.
Sektori që dominon? Në sfond thuajse gjithmonë qëndron teknologjia:
-software,
-gjysmëpërçues (semiconduttori),
-platforma online,
-e-commerce,
-data center, bio-farmaceutikë, fintech.
