Grafologjia për shumë vite është konsideruar si një shkencë e saktë, edhe pse sot rrezikon të zbehet për shkak të teknologjisë dhe faktit që shkruajmë gjithnjë e më pak me dorë. Megjithatë, sipas ekspertëve, mënyra se si mbajmë stilolapsin dhe forma e shkronjave tona vazhdon të fshehë një sasi surprizuese informacioni rreth karakterit, emocioneve dhe mënyrës si e përjetojmë botën.

Shkrimtari Italo Calvino thoshte se të shkruash do të thotë të përpiqesh të fshehësh diçka, në mënyrë që më pas kjo të zbulohet. Grafologjia pikërisht këtë bën: e kthen shkrimin e dorës në një lloj rrëfimi të pavetëdijshëm për veten.

Për të kuptuar më shumë si funksionon, psikologia dhe grafologia Mirka Cesari, që jeton dhe punon në Ferrara, shpjegon se shkrimi i dorës është si një “shkarkim” i nënvetëdijes. Asaj i është besuar edhe analiza e shkrimit të dorës në procese gjyqësore të rëndësishme në Itali, mes tyre edhe ai ndaj Pietro Pacciani, ku pas vlerësimit të grafisë së tij, ajo arriti në përfundimin se i pandehuri mund të ishte vetëm mandant dhe jo ekzekutor i vrasjeve.

Mirka përdor metodën e Girolamo Moretti, e bazuar në një vizion dinamik të personalitetit. Sipas saj, shprehja “më trego si shkruan dhe të them kush je” nuk është thjesht slogan, por një premisë mbi të cilën prej vitesh funksionon grafologjia.

Ajo shpjegon se teksa shkruajmë, nënvetëdija del në pah përmes lëvizjes së dorës, formave, ritmit dhe presionit. Leximi nuk është i thjeshtë, sepse çdo person ka kombinimin e vet unik të tipareve dhe asnjë shkrim nuk është identik me një tjetër.

Një nga elementët e parë që vëzhgohet është forma e shkronjave. Vijat, ashtat, rrethimet, prerjet dhe këndshmëria e tyre tregojnë nëse karakteri ynë anon më shumë nga butësia apo ashpërsia. Një rol të rëndësishëm luan edhe prirja e shkrimit në letër.

Sipas Mirka Cesari, analiza duhet bërë gjithmonë në një fletë të bardhë, pa vija. Nëse shkrimi anon lart, kemi të bëjmë me një person aktiv dhe të prirur të shfrytëzojë kohën. Nëse mbetet strikt në vijë të drejtë, tregon një personalitet konkret dhe tokësor. Kur shkrimi fillon të bjerë lehtë nga fundi i faqes, mund të sinjalizojë ankth, frikëra të brendshme apo prirje për t u mbyllur.

Pastaj vijnë vetë shkronjat, të cilat grafologët i konsiderojnë si simbole me kuptim të shumëfishtë. Madhësia, nëse janë të mëdha apo të vogla, tregon lëvizjet e brendshme të emocioneve. Ja disa shembuj që sjell Mirka.

Shkronja H e madhe lidhet me mënyrën si jetojmë raportet në çift. Vija horizontale në mes të saj flet për aftësinë për të komunikuar dhe socializuar. H e vogël lidhet me nivelin e zhvillimit shpirtëror dhe marrëdhënien tonë me dimensionin e shenjtë. Forma e ashtës dhe harkut mund të tregojë deri diku edhe raportin me të mbinatyrshmen. Sipas Mirka Cesari, një person agnostik do ta shkruante h më këndshëm, me hark të ngushtë, sikur nuk do të linte shumë hapësirë për transcendencën.

Shkronja T e madhe interpretohet si tregues i stabilitetit emocional dhe personal, sidomos përmes mënyrës si vihet vija horizontale. T e vogël lidhet me ndershmërinë dhe sinqeritetin, me mënyrën si japim dashuri dhe sa pasion tregojmë në marrëdhënie.

A e madhe flet për besimin që kemi te vetja. A e vogël, për ndjeshmërinë dhe reagimin tonë përballë provokimeve dhe kritikave.

Një detaj kurioz është shkronja g e vogël, e cila, sipas grafologëve, është e lidhur me seksualitetin, pasi bashkon “dy nivele” të shkrimit. Referenca ndaj “pikës G”, që mban emrin e studiuesit gjerman Grafenberg, përdoret shpesh si shembull simbolik i kësaj lidhjeje mes kënaqësisë dhe grafisë.

Edhe pika mbi i është shumë domethënëse. Vendosja e saj tregon raportin tonë me kohën. Nëse pika bie pas vijës vertikale, personi anon të qëndrojë shumë në të shkuarën. Nëse është fiks mbi vidhë, lidhet me aftësinë për të qëndruar në të tashmen. Kur pika shkon dukshëm para, tregon një natyrë që mendon shumë për të ardhmen. Më tej, nëse pika mungon, kjo mund të flasë për një mënyrë të stresuar të të jetuarit të së tashmes. Kur në vend të pikës vendosim një vijë të shkurtër, kemi të bëjmë shpesh me një profil autoritar. Nëse pika zmadhohet deri në një rreth të vogël, kjo interpretohet si prirje për vetëvlerësim të lartë dhe një farë vaniteti.

Z e vogël lidhet me ndjenjën e thirrjes dhe lidershipin. D e vogël tregon mënyrën si shprehim dhe kontrollojmë zemërimin. E e vogël, sipas madhësisë së harkut të saj, përdoret si një matje e optimizmit dhe humorit.

Një tjetër element interesant është ngjashmëria e shkronjave me njëra tjetrën. Kur shumë prej tyre fillojnë t i ngjajnë formave të tjera, grafologët flasin për një natyrë që ka prirje drejt ndryshimeve të forta, transformimeve radikale.

Nuk mungon as leximi i firmës. Sipas Mirka Cesari, mënyra si firmosim tregon nëse jemi shkëputur emocionalisht nga familja e origjinës apo mbajmë ende një varësi të fortë prej saj. Kur shkruajmë më parë emrin dhe më pas mbiemrin, zakonisht sinjalizojmë një identitet të rritur, të formuar, të aftë të qëndrojë më vete. Kur vazhdojmë të vendosim të parin mbiemrin, kjo mund të tregojë se kemi ende nevojë t i referohemi familjes dhe rrënjëve si bosht kryesor i vetëpërkufizimit.

Sipas Mirka Cesari, shkrimi i dorës nuk është i pandryshueshëm. Ai transformohet mesatarisht çdo shtatë vjet, me kënde dhe rrumbullakime që përshtaten me fazat tona të brendshme. Çdo periudhë jete lë gjurmë edhe te mënyra si shkruajmë.

Ajo shpreh keqardhje për faktin që teknologjia po e zhvendos gjithnjë e më shumë shkrimin e dorës nga jeta jonë e përditshme. Kur nuk shkruajmë më në letër, nuk i japim më mundësi nënvetëdijes të “shkarkohet” dhe mendjes të ushtrohet përmes këtij procesi. Në këtë kuptim, heqja dorë nga shkrimi me dorë mund të jetë edhe një rast i humbur për të kuptuar më mirë kush jemi dhe kush mund të bëhemi, ndoshta duke u bërë një version më i vetëdijshëm i vetes.