
Për vite me radhë kemi dëgjuar se truri “pjeket” në moshën 25 vjeç, sepse atëherë zhvillohet plotësisht korteksi prefrontal, pjesa që lidhet me vendimmarrjen dhe kontrollin e impulseve. Ide perfekte për t’u justifikuar: “jam 23, normal që s’i kam gjetur akoma përgjigjet e jetës”. Vetëm se rezulton të ketë qenë më shumë mit se fakt.
Një studim i ri i Universitetit të Cambridge, i publikuar në Nature Communications, ka analizuar skanera truri të rreth 4 000 personave nga mosha 0 deri në 90 vjeç dhe sugjeron diçka tjetër: truri qëndron në fazë “adoleshente” deri në fillim të të tridhjetave. Sipas tyre, mesatarisht, struktura e trurit hyn në “modalitetin adult” rreth moshës 32 vjeç. Me fjalë të tjera, nga pikëpamja e arkitekturës së trurit, nuk jemi plotësisht “të rritur” në 25, por disa vite më vonë.
Studiuesit identifikojnë pesë faza të mëdha të zhvillimit të “kabllove” nervore, të ndara nga katër momente kthese. Truri i fëmijërisë zgjat nga lindja deri rreth moshës 9 vjeç, kur nis faza adoleshente. Kjo fazë, sipas të dhënave, vazhdon deri rreth të 32-tave. Më pas fillon periudha e gjatë “adult”, që zgjat mbi tre dekada, deri te një tjetër kthesë rreth moshës 66 vjeç, që lidhet me “plakjen e hershme” të trurit. Faza e “plakjes së vonë” fillon rreth të 80-tave.
“Ky është studimi i parë që identifikon qartë fazat kryesore të ‘instalimit elektrik’ të trurit në gjithë jetën tonë”, shpjegon neuroshkencëtarja Alexa Mousley. Sipas saj, këto periudha na ndihmojnë të kuptojmë më mirë jo vetëm se çfarë dimë të bëjmë më mirë në moshat e ndryshme, por edhe kur jemi më të brishtë ndaj stresit, ndryshimeve apo sëmundjeve që prekin trurin.
Kjo nuk do të thotë se 32 vjeç papritur bëhemi më inteligjentë, më të mençur apo më racionalë. Shkencëtarët flasin më shumë për një stabilizim të arkitekturës së trurit: ndryshimet strukturore nuk janë më kaq të mëdha dhe ritmi i “rindërtimit” ngadalësohet për rreth 30 vitet e ardhshme. Kjo lidhet edhe me atë që studime të tjera e quajnë “pllajë” të inteligjencës dhe të personalitetit.
Përkthyer në jetë të përditshme, do të thotë që me moshën bëhemi më pak fleksibël dhe më shumë të fiksuar në mënyrën si mendojmë. Ndoshta kjo shpjegon pse është kaq e vështirë t’u ndryshosh mendje prindërve dhe gjyshërve, sado argumente të sillni në tavolinë. Deri diku, është çështje strukturash neurale, jo vetëm kokëfortësie.
