
Herën e parë që e kam parë Mirandën nga afër ka qenë në prapaskenë. E veshur e gjitha në të zezë, me flokët gjithmonë të lëshuara e të krehura me atë pakujdesjen e studiuar, po rregullonte me qetësi jakën e dikujt tjetër përpara. Që atëherë, rrugët tona janë kryqëzuar në net të mëdha spektaklesh, në studio televizive, në prova të gjata, në dhoma garderobash ku audienca nuk hyn kurrë, por ku krijohet imazhi që ajo sheh më pas në ekran. Në një botë ku shumëkush vrapon pas trendeve, Miranda duket sikur redakton të njëjtën “gramatikë” stilistike: të zezën, ekstravagancën, vintage-in. Ka atë lloj pranie që nuk të lejon ta anashkalosh: është gjithmonë gati të komentojë një veshje, edhe kur nuk ia kërkon, dhe pikërisht atëherë thotë mendimin më të sinqertë.
Përtej titullit “stiliste”, Miranda Dupi është kuratore identitetesh. Ajo i deshifron, i vendos në kornizën e duhur të karakterit artistik dhe jetës së tyre reale, nga momenti i parë kur zgjidhen dhe qepen detajet në atelie, deri në momentin kur veshja ecën në pasarelë e përfundon tek konsumatori final. “Kam eksperienca të jashtëzakonshme në fushën e modës që nga fillimet atje ku zgjidhen dhe qepen detajet e veshjeve, deri në përfundimin final në pasarelë, e nga pasarelat deri te konsumatori. Pastaj janë ftesat në eventet e tyre të rëndësishme, që kush nuk do të donte t’i përjetonte, si kjo e fundit, darka e Krishtlindjeve te D&G. Jam shumë e lumtur që më është dhënë kjo mundësi,” thotë ajo, me atë tonin e qetë që fsheh dekada pune.
Miranda ka qenë gjithmonë aty: jo domosdoshmërisht në foto, por patjetër në rezultatin final. Në shumë prej imazheve që publiku ruan sot nga skena shqiptare, dora e saj është nënshkrimi i padukshëm. Sot, ndërsa e shohim në kopertinë, është radha e saj të jetë vetë personazhi përballë objektivit. Fotot janë realizuar nga Fadil Berisha në SHBA një takim mes syrit të tij legjendar dhe të zezës së saj ikonike. Pas kaq shumë vitesh duke i veshur të tjerët, është momenti që Miranda Dupi të dalë në skenë si ajo që është: një grua që e ka kthyer stilin në profesion, identitet dhe, mbi të gjitha, në karakter.
Kush është Miranda Dupi sot, përtej titullit “stiliste”?
Jam një njeri që, përtej përkushtimit ndaj familjes, jeton non-stop në funksion të kreativitetit. Mendoj, projektoj dhe krijoj çdo ditë për të nxjerrë çdo personazh në kornizën e duhur të karakterit të tij artistik dhe identitetit personal, duke e veshur me tendencat e stilit, por pa ia humbur autenticitetin. Për mua, stili është mënyrë se si e tregon veten, jo kostum që e fsheh.
Tre fjalët që përshkruajnë stilin tënd në kopertinë?
Black, ekstravagancë, vintage. E zeza është baza ime emocionale, ekstravaganca është guximi që i shtoj çdo veshjeje, ndërsa vintage është lidhja ime me kohën, kujtimet dhe klasiken që nuk del kurrë nga moda.

Cilat janë disa nga eksperiencat më të jashtëzakonshme që të ka dhënë moda?
Kam eksperienca të jashtëzakonshme në fushën e modës, që nga fillimet atje ku zgjidhen dhe qepen detajet e veshjeve, deri në përfundimin final në pasarelë, e nga pasarelat deri te konsumatori. Aty kuptova sa shumë punë, pasion dhe saktësi fshihen pas një veshjeje që publiku e sheh vetëm për disa sekonda. Pastaj janë ftesat në eventet e tyre të rëndësishme kush nuk do të donte t’i përjetonte, i rrethuar nga njerëz të modës? Si kjo e fundit, darka e Krishtlindjeve te D&G, një atmosferë ku çdo detaj, nga tavolina te veshjet, ishte një histori më vete. Jam shumë e lumtur që më është dhënë kjo mundësi.
Çfarë ka ndikuar nga fëmijëria jote në mënyrën si vishesh dhe si krijon?
Që e vogël jam rrethuar nga njerëz të veshur bukur dhe me stil veçoj mamin, e cila edhe sot ruan me fanatizëm veshjet dhe aksesoret e saj. Por ndikimi më i madh ka qenë gjyshja ime: ulesha pranë saj sa herë qepte në makinën e vjetër, duke parë sesi copa të thjeshta shndërroheshin në diçka të veçantë. Edhe sot ruaj kukullën që kam veshur kur isha e vogël me mbetje copash nga duart e saj. Ajo periudhë më ka mësuar se stili nuk është thjesht çfarë vesh, por si e shpreh identitetin, karakterin dhe shpirtin tënd. Çdo krijim që bëj sot e ka në themel atë frymëzim të ngrohtë të fëmijërisë.
Cili ishte “outfit”-i i parë që ke krijuar dhe nuk do ta harrosh kurrë?
Ka qenë një përvojë shumë personale. Në atë kohë studioja Kontabilitet dhe Financë, por pasionin për modën e jetoja në konvikt. Krijova një fustan të zi për veten time, me një trëndafil të bardhë në bel një detaj i vogël, por shumë elegant. Ishte hera e parë që pashë një ide në mendjen time të kthehej në realitet dhe emocionin e asaj veshjeje nuk e harroj kurrë.
Kur dikush thotë “veshje nga Miranda Dupi”, cilat janë detajet që identifikojnë firmën tënde?
Më së pari, përshtatja. Më pëlqen kur njeriu, sapo vishet, ndihet si vetja jo i “maskuar” nga veshja. Unë nuk dal jashtë kornizave të asnjë personazhi, stili është karakter dhe unë punoj gjithmonë mbi karakterin. Në aspektin vizual, mund të më njohësh nga format e pastra, të zezat arkitekturore, një lloj ikonizmi minimal dhe pak rebelizëm të kontrolluar.

Si ka ndryshuar gruaja shqiptare në mënyrën si vishet?
Gruaja shqiptare ka evoluar shumë. Është më e informuar, më e hapur ndaj rrymave të reja, nuk ka më frikë të eksperimentojë me prerje, tekstura dhe kombinime që dikur do të konsideroheshin “të guximshme”. Ka më shumë vetëbesim dhe e përdor veshjen si mjet shprehjeje, jo vetëm si “rregull” shoqëror.
Cilat janë gabimet më të shpeshta të stilit që sheh tek vajzat dhe gratë sot?
Shpesh shoh gra që, duke u munduar t’i përshtaten modës, nxjerrin në pah pikat e dobëta të trupit. Jo çdo trend është për çdo fizik dhe jo çdo gjë që është “in” është e përshtatshme për të gjithë. Gabimi kryesor është kur veshja nuk i shërben njeriut, por e kundërta: njeriu humbet brenda veshjes.

Cilin bashkëpunim apo moment në karrierë e konsideron si “kthesën e madhe”?
“Style Star” ka qenë padyshim një nga kthesat më të mëdha. Më dha mundësinë të prezantoja gjuhën time të stilit përpara një publiku shumë më të gjerë dhe më bëri të kuptoj se moda ime nuk ishte vetëm “prapaskenë”, por edhe pjesë e narrativës së show-t.
Ke refuzuar ndonjëherë një klient, vetëm që të mos tradhtosh stilin tënd?
Po, disa herë. Besoj që është më e ndershme të thuash “jo” sesa të bësh një kompromis që nuk i shërben as klientit, as emrit tënd. Nuk dua të firmos asgjë pas së cilës nuk qëndroj si stil dhe si filozofi.
Çfarë i thua një gruaje që fshihet pas të zezave, oversize-it dhe pasigurisë me trupin e saj?
I them: “Je një grua e fortë, edhe kur nuk e beson.” E zeza mund të jetë armor, por nuk duhet të kthehet në fshehje. Punoj shumë që ta ndihmoj ta pranojë trupin e saj, të gjejmë forma që e respektojnë, jo e ndëshkojnë. Synimi im është që ajo të shohë veten në pasqyrë dhe të thotë: “Kjo jam unë, jo frika ime.”

Cili është rituali yt i vogël i bukurisë nga i cili nuk heq dorë kurrë?
Blush-i. Më duket sikur i jep menjëherë jetë fytyrës. Edhe kur jam shumë e lodhur, një pikë blush më rikthen ngjyrën dhe energjinë.
Çfarë të ka mësuar moda për marrëdhëniet dhe për njerëzit?
Më ka mësuar t’i shoh njerëzit së pari si personazhe dhe karaktere, pastaj si “klientë”. Para se t’u sugjeroj stilin, dua t’i kuptoj: si mendojnë, çfarë duan të tregojnë, çfarë duan të fshehin. Moda është një marrëdhënie besimi nëse s’e ndërton dot këtë, veshja mbetet sipërfaqe.
Si e sheh sot skenën e modës shqiptare? Çfarë të pëlqen dhe çfarë të mungon?
Më pëlqen që tentohet për kreativitet, ka lëvizje, ka zëra të rinj që kërkojnë hapësirë. Por më mungon origjinaliteti. Shumë shpesh sheh referenca të kopjuara, jo të transformuara. Do doja të shihja më shumë identitet personal në krijime.
Nëse do kishe mundësi të stilojë një emër shumë të madh ndërkombëtar, kë do zgjidhje?
Sophia Loren ka qenë gjithmonë ëndrra ime. Ajo është simbol i feminitetit, klasit dhe sensualitetit të natyrshëm. Do të ishte një privilegj të luaja me siluetën e saj ikonike duke ruajtur atë që e bën kaq të veçantë.

Çfarë rezervon e ardhmja për Miranda Dupi-n?
Patjetër një linjë të re dhe projekte që janë tashmë në punë e sipër. Dua të kaloj nga faza e stilimit “one to one” tek krijime që mund të mbajnë firmën time dhe të jenë të aksesueshme për më shumë gra, por pa humbur atë ndjesinë e personalizimit.
Nëse një vajzë e re që na lexon sot ëndërron të bëhet stiliste, çfarë do doje t’i thoshe?
Të ketë identitet dhe të jetë origjinale. Sot gjithçka është bërë në modë dhe çdo gjë riciklohet, por stili i vërtetë ka gjithmonë vend për krijimtari. Të mos ketë frikë nga dështimet ato janë pjesë e formimit artistik.
Na trego një moment “krize” para një eventi të madh… si u zgjidh?
Një nga momentet më stresuese ka qenë kur fustani i Miriam Canit nuk na erdhi në kohë për koncertin e Alban Skënderajt. Falë planit B që nuk duhet të mungojë kurrë në këtë profesion situata u zgjidh në minutat e fundit. Ishte një adrenalinë tipike “backstage”, por publiku pa vetëm rezultatin final.

A ke një “muzë” mes VIP-ave shqiptarë, një personazh që sa herë e stilon, të frymëzon të dalësh nga zona e komfortit?
Po, patjetër që kam… është Miranda Dupi.(qesh) Nëse nuk je vetë muza jote e parë, si mund të presësh t’i frymëzosh të tjerët?
Muzën do e shihni së shpejti!
Çfarë roli ka luajtur bashkëshorti yt në këtë rrugëtim?
Ne jemi dy degë të ndryshme të artit ai në muzikë, unë në stil por të bashkuara si një degë e vetme në ide dhe besim. Eri është kritiku im më i madh, por edhe mbështetja ime më e fortë. Ai më shtyn të rritem, edhe kur nuk më pëlqen kritika e tij në moment.
Si duket sistemi yt i mbështetjes: familja, partneri, njerëzit më të afërt?
Vajzat e mia janë inspirimi dhe frymëzimi im më i madh. Ato më bëjnë më të fortë për të përballuar të gjitha sfidat e jetës. Familja ime është vendi ku rikthehem gjithmonë për qetësi, përqafime dhe energji.
Sigurisht, edhe miqtë e mi të ngushtë, që janë kthyer në pjesë të familjes, janë bërë të domosdoshëm në jetën time.
Alban Skënderaj, Miriam Çani, Arilena Ara, Juliana Pasha, Kiara Tito, Luizi Ejlli, Fifi, Enxhi Nasufi, Kejsi Tola dhe plot emra të tjerë.
Ata shihen qartë jo vetëm në bashkëpunime, por edhe përtej tyre: ndajmë momente që nuk harrohen kurrë, në vende të ndryshme të botës. I kam pranë për të mirën dhe për të keqen dhe jam mirënjohëse gjithë jetën për ta.
A ke frikë ndonjëherë se suksesi mund të të marrë shumë kohë nga familja? Si e balancon ambicien profesionale me jetën emocionale?
Sigurisht që puna dhe suksesi marrin kohë nga familja, si në çdo profesion që kërkon përkushtim të madh. Por jam me fat që kam një familje që më qëndron pranë në vështirësi, më jep forcë kur jam e lodhur, më jep gëzim kur jam e mërzitur dhe qetësi kur jam e ngarkuar. Ata nuk më lënë t’u mungojë çdo ditë diçka shumë më e rëndësishme se suksesi: dashuria.
Faleminderit për këtë intervistë të bukur një lloj autobiografie e pjesës më të bukur të jetës sime, e pasionit dhe dashurisë për punën time. Është ndër më të bukurat dhe ju falënderoj ty, Kristina, që më bëre ta tregoj si në një bisedë mes shoqesh, jo si me një gazetare. U ndjeva shumë komode.
Faleminderit Revista Class, ty dhe Alketa Vejsiut që, me mënyrën e të shkruarit dhe të thënurit, i bëni njerëzit të ndihen ata që janë në të vërtetë, dhe i vishni me një “class” të rafinuar. Unë s’di të shkruaj, është më mirë t’i flas gjërat, por jam vërtet mirënjohëse mendoj që mirënjohja s’ka çmim.
Dua ta mbyll me një thënie timen, që besoj e përmbledh gjithë këtë rrugëtim:
“Stili është karakter.”

