
Ideja që shanset për të mbetur shtatzënë bien me të madhe në moshën 35 vjeç është shumë e përhapur. Por nuk është plotësisht e vërtetë.
Ka një numër që duket i paevitueshëm për gratë që duan të bëhen nëna: 35.
Nëse lind në atë moshë ose më pas, mjekët të vendosin etiketën “moshë e avancuar amtare” termi më i butë për atë që dikur quhej “shtatzëni geriatrike”.
Mjekët e fertilitetit dhe studiuesit thonë se shumë gra e shohin 35-ën si një vijë kthese. Sipas këtij këndvështrimi, pas asaj moshe, të mbeturit shtatzënë dhe çuarja e një shtatzënie deri në fund bëhen shumë, shumë të vështira.
Kjo mënyrë të menduari është kudo. Por nuk është tërësisht e saktë.
Koncepti i një “rënieje së fortë të fertilitetit pas moshës 35 vjeç” është ngulitur fort, sidomos në imagjinatën amerikane që nga vitet ’70, thotë Emily Mann, sociologe në University of South Carolina.
“Është bërë si një fjalë magjike,” shton ajo.
Megjithatë, gjithnjë e më shumë gra 35+ po mbeten shtatzënë. Të dhënat e publikuara në korrik nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) treguan se, ndërsa norma e përgjithshme e lindjeve në SHBA ra në vitin 2024 (53.8 lindje për 1,000 gra në moshë riprodhuese), normat e lindjeve te gratë 35–39 vjeç mbetën të qëndrueshme. Për gratë mbi 40 vjeç, lindjet madje u rritën me 2 për qind.
Kjo lidhet, të paktën pjesërisht, me ndryshimet ekonomike dhe sociale. Më shumë gra thonë se po e shtyjnë shtatzëninë sepse ende nuk e ndjejnë veten gati financiarisht për të rritur një fëmijë, sepse duan të mbarojnë studimet dhe të shlyejnë detyrimet, ose sepse duan të gjejnë partnerin e duhur. Ndërkohë, zhvillimi i teknikave të mjekësisë riprodhuese si fekondimi in vitro u ka dhënë më shumë mundësi të mbeten shtatzënë edhe në moshë më të madhe.
“E dimë që, në përgjithësi, është më e lehtë për një grua të re të mbetet shtatzënë sesa për një grua më të madhe në moshë,” thotë Dr. Mann. “Por këto janë të dhëna në nivel popullsie. Kjo nuk të tregon domosdoshmërisht ty, si individ, sa e lehtë apo e vështirë mund të jetë.”
