
Laura Pausini ka vendosur t’i largohet rrjeteve sociale, të paktën për një kohë. Këngëtarja italiane, një nga zërat më të dashur në skenën ndërkombëtare, ka treguar se ekranet po i hanin kohë, qetësi dhe përqendrim te gjërat që kanë vërtet rëndësi: vetja dhe njerëzit pranë saj.
Lajmin e dha vetë në një Story në Instagram, duke e quajtur këtë hap një lloj “premtimi” personal:
“Kam vendosur të bëj një betoks digjital. T’i heq nga telefoni të gjitha rrjetet sociale.”
Një “digital detox” në kuptimin e plotë të fjalës. Llogaritë e saj në rrjetet sociale mbeten aktive, por Laura ka zgjedhur të mos jetë më e pranishme si më parë në planin personal. Postimet e punës do të vijojnë koncerte, albume, lajme profesionale por pjesa “private” do të zhvendoset larg ekranit.
Vendimi erdhi në të njëjtën periudhë me publikimin e këngës “Ritorno ad Amare” të Biagio Antonacci-t, një këngë që Pausini e ka shumë për zemër dhe që do të jetë pjesë e albumit të saj Io canto 2, por edhe single më vete. Pikërisht kjo këngë u bë shkëndija për një ndryshim konkret në jetën e saj.
“Në javët e fundit, me ardhjen e Ritorno ad Amare, vendosa të bëj diçka konkrete për veten time, sepse kjo këngë është një shtysë për t’u rikthyer ta duam veten. Kisha nevojë. Po kaloja shumë kohë përpara ekranit dhe kjo më shkaktonte ankth dhe stres,” –rrëfen Laura Pausini.
Rrjetet sociale, nga një mjet komunikimi me publikun, ishin kthyer në një prani të rëndë, që i gërryente qetësinë mendore.
Pausini tregon se presioni për të qenë gjithmonë aty, për të lexuar dhe kthyer përgjigje, kishte filluar t’i rëndonte:
“Ndonjëherë nuk arrija të flija, sepse mendoja se nuk kisha mundur të lexoja dhe t’u përgjigjesha të gjitha mesazheve.”
Largimi i kontrolluar nga rrjetet sociale po e ndihmon të rimarrë frymë:
“Rikthimi te jeta ime po më lejon të ndihem më e qetë dhe më e përqendruar te njerëzit e vërtetë në krahun tim. Me dritën e diellit, jo me atë artificiale të smartphone-it.”
Për Laurën, kthimi te përditshmëria pa notifikime të pafundme është një mënyrë për të rikthyer vëmendjen te ajo që është reale: familja, miqtë, puna, muzika, jeta jashtë ekranit.
Edhe kur rastësisht futet sërish në profilet e saj, Laura thotë se nuk ndjen asnjë pendesë për vendimin e marrë përkundrazi, ajo e sheh edhe më qartë anën toksike të botës online:
“Sot hyra 10 minuta në rrjete të ndryshme sociale dhe gjeta një urrejtje të pamëshirshme kundër gjithkujt dhe gjithçkaje. U tremba,” – tregon ajo.
Mesazhi i saj është i drejtpërdrejtë:
“Kini kujdes të mos bini në këtë grackë që mund t’ju çojë me të vërtetë të ndiheni keq. Gjëja më e rëndësishme është shëndeti juaj, që duhet mbrojtur me çdo kusht.”
Sipas këngëtares, ne si shoqëri kemi dështuar t’i përdorim rrjetet sociale thjesht si ura lidhëse ndërmjet njerëzve:
“Nuk kemi qenë në gjendje t’i përdorim rrjetet sociale për të krijuar kontakte dhe për t’u afruar. Janë kthyer në një vend ku nxirret gjithë zemërimi dhe urrejtja.”
Vendimi i Laura Pausinit për t’u tërhequr nga rrjetet nuk është një rebelim kundër teknologjisë, por një zgjedhje e vetëdijshme për të mbrojtur shëndetin mendor, kohën dhe dashurinë për veten.
