Kushdo që kalon pak kohë në rrjete sociale e njeh mirë atë ndjesinë e vogël, por të fortë: zemra të rreh më shpejt, nervat të ngrihen, sytë të hapen më shumë, kur të del përpara një video absurde, një titull i ekzagjeruar, një koment që duket sikur është shkruar vetëm për të të acaruar.

Nuk është rastësi. Nuk është “rast i izoluar i internetit”.
Është i projektuar. Ky mekanizëm quhet rage bait dhe është ndërtuar qëllimisht për ta kthyer zemërimin tonë në klikime, klikimet në vëmendje, dhe vëmendjen në fitim.

Çfarë është “rage bait”?
“Rage bait” është përmbajtje online e krijuar enkas për të provokuar:

-zemërim
-përçmim
-neveri
-indinjatë
Mund të jetë një status, një video, një titull lajmi, një koment, një meme. Zakonisht:

-e thjeshtuar në ekstrem
-e nxjerrë nga konteksti
-e ekzagjeruar ose e shtrembëruar
Qëllimi nuk është të informojë, por të të detyrojë të reagosh:
të komentosh, të ndash, të ofendosh, të mbrosh veten, të “vendosësh drejtësinë”.

Në një farë mënyre, është clickbait 2.0: në vend të kureshtjes, luan drejtpërdrejt me emocionet negative, sepse:

-ato ndizen më shpejt
-mbahen më gjatë
-dhe, për platformat, janë më fitimprurëse.

Pse funksionon kaq mirë provokimi?
Sepse nuk po luhet vetëm me mendimin tonë, por edhe me biologjinë tonë.

Kur ne ndeshemi me diçka që na duket ofenduese, e padrejtë, kërcënuese aktivizohet sistemi limbik, veçanërisht amigdala, pjesa e trurit që “ngre alarmin” sapo nuhat rrezik për ne ose për “grupin tonë”.

Shkencërisht, kjo quhet negativity bias:
-truri i kushton shumë më tepër rëndësi informacionit negativ sesa atij neutral apo pozitiv.

Çfarë ndodh praktikisht?

-ndjejmë urgjencë: “Duhet të reagoj!”
-bie aftësia për të menduar me qetësi
-rritet shansi të komentojmë, të shpërndajmë, të sulmojmë pa verifikuar asgjë
Paralelisht, futet në lojë edhe sistemi i shpërblimit në tru:

-kur shfryjmë online dhe shohim që të tjerët pajtohen me ne
-marrim like, “bravo”, komente mbështetëse
-truri lëshon dopaminë. Dhe dopamina i thotë sistemit tonë:
“Bëje përsëri. Kjo ndjehet mirë.”

Kështu, indinjata kthehet në mini–varësi: sa herë që zemërohemi publikisht dhe marrim aprovime, forcohet lidhja mes zemërimit dhe ndjenjës së shpërblimit.

Algoritmi e do zemërimin tuaj.
Për platformat, kjo është ar.
Sa më shumë të rrish online, të debatosh, të grindesh, të reagosh  aq më shumë:

kohë ekrani
të dhëna
reklama të shfaqura
dhe pra, më shumë fitim.

Algoritmet janë të programuar që të promovojnë përmbajtjen me angazhim të lartë. Dhe çfarë sjell më shumë komente, share, reagime të forta? Pikërisht çfarë na zemëron, na trondit, na frikëson.