Nuk ka ndjenjë më të bukur se fillimi i një historie të re. Mesazhet janë të gjata, plot humor e flirt, takimet duken premtuese dhe ti mendon me vete: “Kësaj radhe mbase ka të ardhme…”.

Deri kur, papritur, diçka ndryshon.
Mesazhet nga paragrafë bëhen “ok”, “po”, “shohim”, përgjigjet vonohen, takimet shtyhen, entuziazmi bie. Ai/ajo nuk zhduket krejt, por duket sikur largohet centimetër pas centimetri. Ky është slow fade, një nga sjelljet më tipike (dhe më të lodhshme emocionalisht) të takimeve sot.

Dy seksologe dhe eksperte marrëdhëniesh, Natassia Miller dhe Lilith Foxx, e përshkruajnë slow fade si një “fikje të ngadaltë të dritës” në një raport: teknikisht personi është ende aty, por prania e tij bëhet gjithnjë e më bosh.

Çfarë është slow fade dhe pse nuk është njësoj si ghosting?
Sipas Miller, për slow fade flasim kur ka një ulje graduale të komunikimit dhe angazhimit:
–mesazhet bëhen më të rralla dhe më të thata
–takimet shtyhen ose anulohen
–personi duket gjithmonë e më pak i pranishëm emocionalisht.

Lidhja nuk “këputet” në një ditë, por shterohet ngadalë, deri sa një ditë kupton që nuk ka më asgjë për t’u mbajtur.

Shpesh ngatërrohet me ghosting, por janë dy gjëra të ndryshme:

Ghosting: zhdukje e menjëhershme, pa asnjë shpjegim. Sot flet, nesër nuk të përgjigjet më kurrë. Është brutale, por të paktën është e qartë: ka mbaruar.
Slow fade: personi nuk zhduket, por zbehet. Çdo javë diçka pak më pak: më pak mesazhe, më pak iniciativë, më pak afeksion. Ti rri pezull, duke pyetur veten: “A jemi ende bashkë apo jo?”
Kjo ambiguitet është ajo që dhemb më shumë: krijon shpresë, pastaj zhgënjim, pastaj konfuzion… dhe e gjitha zgjat me javë apo muaj.

Pse disa zgjedhin “të zbehen” në vend që të flasin hapur?
Arsyeja kryesore? Evitimi.

Shumë njerëz ndihen më “rehat” të largohen ngadalë sesa të ulen e të thonë:
“E vlerësoj kohën bashkë, por nuk shoh më një të ardhme”.

Sipas Miller dhe Foxx:

Disa mendojnë se është më i butë sesa të të thonë troç “nuk dua më”. Si të të linte “vetë ta kuptosh”, pa fjalë të forta.
Disa duan të mbajnë një derë hapur, nëse nuk iu ecën me dikë tjetër. Ta kesh personin “në sfond”, si opsion rezervë.
Disa thjesht nuk përballojnë dot ankthin e një bisede të sinqertë për ndjenjat që kanë ndryshuar.
Problemi? Ndërkohë që ata kursejnë veten nga sikleti, tjetri paguan çmimin: javë të tëra paqartësie, rikrijimi skenarësh në kokë, fajësim: “Mos bëra diçka gabim? Mos po kërkoj shumë?”

Në thelb, slow fade është një formë shmangieje, ku rehati e njërit vihet përpara qartësisë emocionale të tjetrit.

Shenjat që po përjeton një “slow fade”
Nëse po e ndjen që diçka nuk shkon, por s’je e sigurt si ta quash, këto janë shenjat tipike:

-Koha e përgjigjeve zgjatet, mesazhet shkurtohen
-Nga mesazhe plot detaje, humor e kuriozitet, kthehen në “ok”, “shohim”, “jam i/e zënë”. Më pak pyetje, më pak interes, më pak dialog.
-Bëhet gjithnjë e më e vështirë të bëni plane
-Takimet shtyhen, anulohen, nuk caktohet më një ditë e qartë. Shpesh dëgjon: “Flasim” dhe fjala mbetet në ajër.
-Iniciativa vdes ngadalë
-Je ti që shkruan, propozon, pyet. Ai/ajo rrallë nis kontaktin vetë. Ti ndihesh sikur po tërheq një marrëdhënie e cila nuk tërhiqet nga ana tjetër.
-Prania fizike dhe emocionale bie
-Edhe kur takoheni, duket i/e shpërqendruar: më shumë në telefon, më pak në ty. Nuk flitni më për të ardhmen, as për plane të vogla.
-Më pak afeksion, më pak intimitet
-Përqafimet, gjestet e vogla, fjalët e ëmbla… zvogëlohen. Ndërkohë, ndarja e gjërave personale (siç janë frikërat, ëndrrat, problemet) bëhet gjithnjë e më sipërfaqësore.

Sa zgjat zakonisht slow fade?
Varet nga marrëdhënia, por Miller jep disa intervale orientuese:

-Në njohje të reja, më të lehta: 2–4 javë
-Në lidhje më të konsoliduara: 2–3 muaj
Zakonisht ndodh me faza:

Nga komunikim i përditshëm- në çdo disa ditë
Pastaj - njëherë në javë
Pastaj - vetëm kur ti shkruan
Deri sa një ditë askush nuk shkruan më – dhe kështu “mbaron”.
Ironike, por shpesh sa më shumë ndihen fajtorë ata që “zbehen”, aq më shumë e zgjasin procesin, duke menduar se po e bëjnë “më pak të dhimbshëm”. Në realitet, thjesht zgjatin agoninë.

Çfarë të bësh nëse po e përjeton një slow fade?
Nëse po e ndjen që po të largohen ngadalë, gjëja më e mirë që mund të bësh nuk është të presësh në heshtje, por të marrësh kontrollin.

Ekspertët sugjerojnë:

-Mos injoro instinktin tënd
-Nëse ndihesh keq, e pasigurt, e lënë pezull kjo tashmë është një përgjigje. Një lidhje e shëndetshme nuk të bën të ndihesh e paqartë çdo ditë.
-Hap një bisedë të drejtpërdrejtë, por jo agresive
Mund ta thuash diçka si:“Kam vënë re që kohët e fundit flasim më pak dhe kjo më ka hutuar pak. Do doja të dija si e sheh ti atë që po ndodh mes nesh.”
Kjo nuk është lutje. Është kërkesë për qartësi dhe vendos kufij.
-Mos prano të mbetesh në mjegull
Nëse shmang përgjigjet, të jep fjalë të mjegullta, ose fare nuk përgjigjet, kjo vetë është përgjigje. Mungesa e respektit për ndjenjat e tua është një “red flag” i madh.
-Zgjidh ti, mos prit të zgjidhë tjetri
Nëse merr përgjigje të ftohtë, të vakët, ose justifikime të pafundme, ke çdo të drejtë të thuash: