
Të rritesh në një shtëpi ku ka një qen nuk është vetëm çështje shoqërie apo “qejfi”. Sipas një studimi të ri të publikuar në revistën iScience, bashkëjetesa me një qen mund të ketë efekte të matshme në shëndetin mendor të adoleshentëve, duke i bërë më të qetë, më pak të stresuar dhe me më pak probleme në sjellje.
Duke analizuar të dhënat e Tokyo Teenager Cohort Study, një ekip studiuesish japonezë vëzhgoi se 13-vjeçarët që jetonin me një qen, pas një viti shfaqnin:
më pak probleme sociale,
më pak agresivitet,
më pak sjellje antisociale,
krahasuar me bashkëmoshatarët që jetonin në shtëpi pa kafshë dhe në veçanti pa qen.
Pjesa më interesante është se studiuesit sugjerojnë një shpjegim që shkon përtej kontaktit fizik dhe efektit qetësues të përkëdheljes. Ekipi i udhëhequr nga prof. Takefumi Kikusui (Azabu University) hedh hipotezën se një pjesë e përfitimit mund të lidhet me mikrobiomën, pra me bakteret që mund të “shkëmbëhen” mes adoleshentëve dhe qenve në përditshmëri.
Me fjalë të thjeshta: ndryshimi mund të fshihet te mikrobet që ndajmë me miqtë tanë me katër putra.
Studimi përfshiu 343 adoleshentë, prej të cilëve 96 kishin qen. Përveç pyetësorëve mbi sjelljen, studiuesit analizuan edhe pështymën e pjesëmarrësve. U vu re se adoleshentët pa qen kishin më pak bollëk të 12 llojeve bakteresh, përfshirë Streptococcus dhe Prevotella.
Për të kuptuar nëse këto dallime mund të ndikojnë në sjellje, studiuesit transferuan mikrobet e pështymës së adoleshentëve te minj pa mikrobiomë (minj të rritur në kushte të veçanta). Rezultati: minjtë e “kolonizuar” me mikrobiomën e adoleshentëve që kishin qen shfaqën më shumë kureshtje sociale dhe një lloj reagimi empatik që studiuesit e quajnë “preconcern”.
