
Festivali i Këngës në RTSH është kthyer sërish në temë të nxehtë në rrjet këtë vit. Një reagim i fortë publik erdhi edhe nga Neda Balluku, e cila ka shpërndarë disa Instagram Story ku kritikon ashpër mënyrën si po zhvillohet festivali dhe si po trajtohen artistët, veçanërisht të rinjtë.
Në postimet e saj, Neda përdor një metaforë të drejtpërdrejtë dhe goditëse për të përshkruar gjendjen e festivalit ndër vite: “Festivali është shtatzënë prej vitesh dhe nuk lind.” Me këtë, ajo lë të kuptohet se eventi ka humbur prej kohësh funksionin e tij krijues dhe nuk po sjell më risi reale, pavarësisht pritshmërive që shoqërojnë çdo edicion.
Sipas Ballukut, një nga problemet kryesore është pabarazia në garë, sepse artistët e rinj futen në të njëjtat kategori me emra të mëdhenj dhe të konsoliduar të muzikës shqiptare një përplasje që, sipas saj, e bën konkurrimin të padrejtë që në start.
Ajo thekson se nuk është çështje thjesht “të jesh i ri”, por e mënyrës si sistemi e vendos talentin në kushte të pafavorshme, duke lënë hapësirë të vogël për të spikatur, për të marrë vëmendje dhe për t’u vlerësuar realisht.
Një tjetër pikë ku Neda ndalet fort është argumenti që dëgjohet shpesh në çdo debat rreth festivalit: “Konkurron kënga.” Ajo e kundërshton hapur, duke sugjeruar se ky arsyetim nuk qëndron, sidomos kur sipas saj këngët çdo vit po shkojnë gjithnjë e më shumë drejt “dramës”, në vend që të sjellin risi artistike dhe prurje të forta muzikore.
Në reagimin e saj, Neda nuk kursen as ironinë kur rikthimin e Galës në festival për herë të tretë brenda tre vitesh. Ajo e quan këtë të tepërt.




