Ditën e djeshme, në media ka qarkulluar gjerësisht një foto e një arushe me këlyshët e saj, për të cilën u raportua se ishte parë dhe fotografuar në Kukës, konkretisht në fshatin Koleshan.
Fotoja ngjalli reagime të shumta: disa e pëlqyen, të tjerë u frikësuan, por ajo që është e rëndësishme të theksohet është fakti se imazhi është i krijuar me Inteligjencë Artificiale (AI).
Krijuesi digjital Niki Ismalja, publikuesi i fotos, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Në kohë reale”, i moderuar nga Flori Gjini, pohoi fillimisht se fotoja ishte reale. Megjithatë, imazhi u vu shpejt në dyshim nga disa media dhe platforma verifikimi.
Dy elemente kryesore e bënë foton të dyshimtë: mungesa e gjurmëve në terren dhe fakti se një arushë rrallëherë shoqërohet nga më shumë se tre këlyshë.
Ndërkohë, sipas informacioneve të fundit nga eksperti i Inteligjencës Artificiale, Erikleo Çepa, fotoja që po qarkullon në rrjetet sociale nuk përfaqëson një situatë reale në natyrë, por është e gjeneruar me AI. Ai argumenton se sjellja e arushës bie ndesh me instinktin biologjik të species, pasi arinjtë kanë frikë nga makinat. Një tjetër element vendimtar është edhe bora, pasi në imazh nuk vërehen gjurmë reale të lëvizjes.

Në këtë situatë, është e rëndësishme të theksohet se mediat duhet të jenë më të kujdesshme dhe më të përgjegjshme në dhënien e informacionit dhe verifikimin e tij, për të shmangur keqinformimin e publikut.