Në parqet e Pekinit, sidomos në fundjavë dhe nganjëherë edhe natën nuk është e pazakontë të shohësh njerëz të mbështetur pas trungjeve të pemëve: të palëvizshëm, në heshtje. Janë të rinj e të moshuar, miq, çifte, nëna me vajzat. Për dikë, mund të duket si një “modë” e rrjeteve sociale. Por për shumëkënd, është një gjest i thjeshtë që kërkohet si lehtësim nga stresi i përditshëm, në një shoqëri ku presioni i punës, izolimi dhe vetmia janë gjithnjë e më të pranishme.

Këtë fenomen e përshkruan Akanksha Awal, pedagoge e Antropologjisë Sociale në SOAS, Universiteti i Londrës, në një shkrim për The Conversation. Sipas saj, përqafimi i pemëve po shfaqet si një formë e re (dhe njëkohësisht shumë elementare) e kërkimit të qetësisë, sidomos pas viteve të pandemisë.

Përqafimi i pemëve, thonë specialistët, nuk është thjesht impuls. Është një praktikë që mësohet dhe udhëhiqet. Pikërisht këtu hyjnë programet e ashtuquajtura forest therapy (terapia në pyll), që vitet e fundit dhe veçanërisht pas Covid-19 kanë tërhequr gjithnjë e më shumë pjesëmarrës. Ideja është e thjeshtë: të ngadalësosh ritmin, të vëzhgosh dhe të krijosh një raport fizik e simbolik me pemët.

“Përqafimi i pemëve është një mënyrë për të sjellë kontaktin në jetë,” shpjegon Xiaoyang Wong, 35 vjeçe, ish-montazhiere filmash dhe sot terapiste e forest therapy në Pekin. Ajo thotë se vendosi të ndërronte drejtim profesional pasi gjatë pandemisë përjetoi një ndjenjë të fortë izolimi.

Në Pekin, shumë pemë shekullore mbrohen nga autoritetet lokale me gardhe për të shmangur dëmtimin. Por pemët më të reja janë ende të arritshme mund të preken, të vëzhgohen dhe, për ata që duan, edhe të përqafohen.

Në fillim, shumë njerëz ndihen në siklet: të përqafosh një pemë në publik nuk është diçka “normale” në kodet e përditshme sociale. Prandaj, gjatë seancave, Wong i udhëzon pjesëmarrësit të afrohen gradualisht: ta shohin pemën nga afër, të eksplorojnë lëvoren, të vërejnë insektet, lëvizjet, detajet. Vetëm pas kësaj faze vëmendjeje dhe familjarizimi, secili vendos nëse do ta prekë apo do ta përqafojë.

Nga intervistat e realizuara nga Akanksha Awal del edhe një prirje tjetër: në këto programe, gratë janë më të shumta se burrat. Shumë prej tyre, sipas saj, po rishqyrtojnë idenë e martesës dhe po kërkojnë forma të tjera marrëdhënieje, komuniteti dhe mirëqenieje. Në këtë sfond, pemët shihen si prani që i bëjnë njerëzit të ndihen “të rrënjosur” dhe “të gjallë”.

Në seancat e drejtuara nga Wong, pjesëmarrësve u propozohet edhe një ushtrim simbolik: të zgjedhin një bimë, ta marrin emrin e saj për një ditë të tërë dhe të thirren me atë emër gjatë ditës; më pas të ndajnë një gjest që përfaqëson mënyrën se si e imagjinojnë se lëviz ajo bimë. Përkrah Wong punojnë edhe gra të tjera që kanë lënë punë me presion të lartë për t’iu përkushtuar kësaj veprimtarie, shpesh me kohë të pjesshme një zgjedhje që pasqyron dëshirën për t’u larguar nga modelet e suksesit të bazuara vetëm te konkurrenca dhe produktiviteti.

Për shumë të rinj kinezë, pemët po kthehen në hapësira reflektimi dhe marrëdhënieje: vende ku pyesin veten për afeksionet, lidhjet, identitetin dhe ku përpiqen të rregullojnë marrëdhënien me mjedisin dhe me të tjerët. Ndoshta nuk është “kurë” për gjithçka. Por për ata që e praktikojnë, është një mënyrë konkrete për të ngadalësuar, për të ndier dhe për të mos mbetur vetëm me zhurmën e brendshme.