Të hysh në shtëpinë e dikujt është gjithmonë një rit i vogël. Lë pallton te hyrja, shkëmben buzëqeshje e përqafime, përpiqesh të ndihesh rehat dhe të përshtatesh me atmosferën familjare. Por kur i zoti i shtëpisë kërkon që të heqësh këpucët, atmosfera mund të ndryshojë në një çast. Nga njëra anë, heqja e këpucëve para se të hysh brenda është një gjest higjiene. Nga ana tjetër, është edhe një zakon që te disa njerëz krijon siklet, sikur të dalësh në çorape të të bënte të ndiheshe i zhveshur dhe i ekspozuar. Mes kulturave të ndryshme dhe rregullave të mirësjelljes në shtëpi, ja si mund ta bësh këtë kërkesë me takt dhe stil, pa cenuar mikpritjen dhe pa vënë në siklet askënd.

“Të heqësh këpucët në shtëpi është, para së gjithash, çështje higjiene, sidomos kur jashtë bie shi apo dëborë dhe këpucët, patjetër, do të jenë të ndotura”, shpjegon arkitekti i interierit Paolo Rota. Por kjo ka të bëjë edhe me respektin për hapësirën, veçanërisht kur dyshemetë janë me parket, sepse druri është delikat dhe mund të njolloset ose dëmtohet lehtë, edhe nga takat. E njëjta vlen edhe për tapetet dhe moketin, ku këpucët mund të sjellin papastërti dhe lagështi.

Siç kujton eksperti, në shumë kultura, nga Azia te vendet skandinave, e deri në zona të caktuara alpine, kjo është pjesë e natyrshme e jetesës në shtëpi dhe lidhet me kujdesin për ambientin dhe respektin për ata që jetojnë aty. Për këtë arsye, këshilla e tij për të zotët e shtëpisë është e thjeshtë: ta shoqërojnë kërkesën me buzëqeshjen më të mirë dhe t’u ofrojnë miqve pantofla elegante ose çorape të buta, të pastra dhe në gjendje të mirë. Nuk është një detaj i vogël. Përkundrazi, komunikon vëmendje, kujdes dhe mikpritje, duke e kthyer një rregull që mund të duket i ngurtë në një përvojë komoditeti dhe stili. Në fund, kur të gjithë janë me pantofla ose çorape, atmosfera bëhet më e relaksuar dhe shtëpia ndihet vërtet si shtëpi.

Sipas përvojës së coach-it Davide Cortesi, “t’u kërkosh miqve të heqin këpucët mund të krijojë një siklet të lehtë te ata që nuk e kanë këtë zakon. Por, nëse menaxhohet me takt, ky ftesë, që nuk duhet të tingëllojë kurrë si urdhër, mund të komunikojë respekt, kujdes dhe një mikpritje autentike”.

Çelësi është mënyra si e thua. Kërkesa duhet formuluar me butësi dhe, kur është e nevojshme, shoqëruar me një arsye të thjeshtë që e bën të kuptueshme: për të ruajtur parketin, për të mbajtur të pastra tapetet, sepse është një traditë familjare, ose sepse në shtëpi ka fëmijë të vegjël dhe higjiena është prioritet.

Një tjetër sugjerim praktik është ta paralajmërosh lehtë qysh në momentin e ftesës, që i ftuari të vijë i përgatitur dhe të mos e ndjejë si imponim, por si pjesë e ritualit të mirëseardhjes. Po aq e rëndësishme është edhe logjistika: të ketë një stol të vogël, një bankinë ose një karrige pranë hyrjes, në mënyrë që miqtë të ulen dhe t’i heqin këpucët pa u ndier në siklet. Janë këto imtësi që, së bashku, ndikojnë te ndjesia emocionale e të ftuarit dhe krijojnë një ambient të qetë, ku secili ndihet vërtet rehat.

Në fund, pyetja nuk është nëse është pa edukatë, por si bëhet. Kur shoqërohet me kujdes, shpjegim të thjeshtë dhe një gjest mikpritjeje, heqja e këpucëve nuk e ftoh atmosferën. Përkundrazi, e bën më të ngrohtë.