
Sporti dhe media shqiptare u zgjuan mëngjesin e kësaj të hëne me një lajm të trishtë: ish-basketbollisti i njohur i Dinamos dhe gazetari sportiv, Enea Andrea, është ndarë nga jeta në moshën 55-vjeçare.
Sipas informacioneve, Enea Andrea ka pësuar një atak kardiak fatal teksa po stërvitej në palestër. Rreth shtatë vite më parë ai kishte kaluar një problem të ngjashëm me zemrën, por kishte arritur të rikuperohej dhe të rikthehej në një formë të mirë fizike, duke vijuar një jetë aktive.
Enea Andrea ishte një emër i dashur dhe i vlerësuar në basketbollin shqiptar. Për vite me radhë ai dha kontributin e tij për Dinamon, ku spikati për talentin dhe përkushtimin, duke u bërë njëkohësisht edhe pjesë e rëndësishme e ekipit kombëtar. Ai do të kujtohet si një sportist model dhe një koleg i palodhur.
Edhe pas tërheqjes nga parketi, Enea nuk u shkëput nga sporti. Ai u bë një figurë e njohur në median shqiptare si specialist dhe komentator, ndërsa analizat e tij profesionale në transmetimet e NBA-së e kthyen në një pikë referimi për adhuruesit e basketbollit në Shqipëri.
Enea Andrea ishte gjithashtu vëllai binjak i aktores së njohur Ema Andrea. Ndarja e tij nga jeta ka tronditur jo vetëm rrethin sportiv, por edhe atë artistik, ku ai vlerësohej për profesionalizmin, integritetin dhe mirësinë që e karakterizonte.
Ngushëllime familjes Andrea, miqve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur dhe vlerësuar.
