Shumë njerëz, sa herë afrohet ndërrimi i viteve, e njohin atë përzierjen e çuditshme të optimizmit me vetëkritikën: ideja se “versioni i ri” i vetes na pret pas numërimit mbrapsht. Prandaj shumica duan të shtypin “reset” me një vendim ose, më shpesh, me disa.

Vetëm se statistikat nuk janë gjithmonë në anën tonë. Profesori britanik i psikologjisë Richard Wiseman ndoqi mbi 3.000 persona që vendosën objektiva të ndryshëm (nga palestra te ulja e alkoolit) dhe, në fund të vitit, vetëm 12% kishin arritur t’i mbanin. Një studim i ngjashëm nga University of Scranton tregoi shifra pak më të mira: 19% sukses.

Megjithatë, edhe nëse “rekordi” yt ka qenë i lëkundur, s’do të thotë që s’ia vlen të provosh. Vetëpërmirësimi është proces i gjatë dhe nuk ka pse të jetë i mbushur me turp, faj apo vetëndëshkim. Më poshtë janë disa këshilla që ekspertët sugjerojnë për vendime më të realizueshme, që kanë më shumë gjasa të zgjasin. Siç thoshte Maya Angelou: bëj më të mirën që mundesh derisa të dish më mirë; pastaj, kur të dish më mirë, bëj më mirë.

Gjëja e parë: objektivat duhet të jenë realiste. Sipas psikoterapistes integruese Jenny Mahlum, shumica dështojnë sepse vendimet janë shumë të përgjithshme, tepër ambicioze ose të shkëputura nga jeta e përditshme. Ndryshimi i vërtetë nuk është “t’i kthesh një çelës” është të ndërtosh bazën.

Për këtë arsye, ajo këshillon “hapa bebe”. Në vend që të thuash “do të stërvitem çdo ditë”, vendos si qëllim të shkosh në palestër dhe të rrish vetëm dy minuta. Ose thjesht ngjitu edhe një kat më shumë me shkallë. Duken hapa të vegjël, por janë të realizueshëm, krijojnë ritëm dhe pastaj rritet gradualisht edhe përpjekja, pa u djegur.

Në fakt, shumë njerëz po shkojnë drejt “mikro-vendimeve” më të qëndrueshme. Një studim i Headway me 2.000 persona tregoi se 42% thonë se nuk kanë hapësirë mendore për ndryshime të mëdha. Kështu, vendimet më të zakonshme janë: të ngadalësojnë (68%), të mos i vënë vetes kaq presion (38%) dhe thjesht të shijojnë jetën (29%). Sipas coaches së shëndetit dhe ekspertes për parandalimin e burnout-it, Thalia-Maria Tourikis, kjo nuk është humbje ambicie është realizëm, pas viteve me mbingarkesë, stres financiar dhe “zhurmë” digjitale pa fund.

Edhe numri ka rëndësi. Tourikis sugjeron 3 deri në 5 vendime, sa më pak, aq më mirë. Një listë e shkurtër të ndihmon të jesh i qëndrueshëm dhe të mos rraskapitesh. Sepse çdo qëllim kërkon veprime të vogla të përditshme; edhe pak vendime janë angazhim serioz.

Dhe një gjë shumë praktike: shkruaji. Shkrimi me dorë aktivizon zona të caktuara të trurit, e bën më të qartë qëllimin dhe rrit ndjenjën e përgjegjësisë. Plus: kur shënon çfarë ke arritur, merr kënaqësi shtesë si një “bonus” motivimi.

Gjeje “pse-në” tënde
Pa një arsye të fortë, edhe vendimi më i bukur bie nga lista. Ekspertja e zhvillimit personal Liz Moody thotë se është thelbësore të kesh një “pse”: çfarë ndikimi më të gjerë do të ketë ky vendim te ti?

P.sh., “të ha më shumë perime” mund të përkthehet në më shumë energji dhe lëkurë më të pastër. “Të lëviz më shumë” mund të ulë ankthin dhe të përmirësojë gjumin. Shumë thonë “dua të dobësohem” vetëm sepse shoqëria e thotë por kur motivimi s’është i brendshëm, është e vështirë të zgjasë. Pyete veten: “Pse po e bëj?” Nëse s’e gjen dot përgjigjen, ndoshta lëre. Motivimet thjesht estetike shpesh nuk janë të mjaftueshme. Por nëse kupton si do të të bëjë të ndihesh atëherë ke një shtysë të fortë.

Më mirë vlera sesa objektiva
Vendimet zgjasin më shumë kur lidhen me vlera personale, thotë profesorja e psikologjisë Marwa Azab. Ajo bën dallimin mes “të jesh i orientuar” dhe “të jetosh me kuptim”: kuptimi lidhet me vlerat e brendshme.

Në vend që të fiksohesh te objektiva, zgjidh tri vlera kryesore (p.sh. sinqeriteti, mirënjohja, kujdesi për shëndetin, rritja personale) dhe vendos të mos i komprometosh. Sepse objektivat shpesh dështojnë dhe pastaj e quajmë veten “e prisha, s’ka më”. Ndërsa vlerat janë më të lehta për t’u mbajtur dhe të kthejnë te rruga edhe kur rrëshqet.

Dëgjo intuitën dhe trupin
Psikiatrja Ellen Vora thotë se shpesh dështojmë kur premtojmë gjëra që shkojnë kundër dëshirave reale. Trupi di çfarë i duhet: ndonjëherë natyrë, ndonjëherë ushqim i mirë, ndonjëherë pushim. Ajo sugjeron t’i formulosh vendimet në mënyrë më të mençur: jo “do të ushtrohem çdo ditë”, por “do të lëviz kur trupi im ka nevojë të lëvizë” dhe “do të pushoj kur trupi im ka nevojë të pushojë”.

Profesori i psikologjisë në NYU, Jay Van Bavel, thekson se suksesi rritet kur ka komunitet. Ankthi dhe depresioni po rriten, dhe vetmia është bërë problem serioz. Zgjidhja? Lidhu me të tjerë: një grup vrapi, një shok palestre, një grup shkrimtarësh. Kur dikush e di çfarë po synon, ti e ndjen veten më “në llogari” dhe njëkohësisht fiton edhe shpërblimin e lidhjes sociale.

Fokus te shëndeti, jo te dietat e rrepta
Sipas mjekut Steven Gundry, dietat e urisë ose dietat “modë” mund të dëmtojnë (p.sh. të ulin masën muskulore dhe të rrisin inflamacionin). Ai këmbëngul te një ide: të ushqesh mikrobiomën e zorrëve (bakteret/organizmat që ndikojnë shumë te shëndeti dhe pesha).

Ushqimet e përpunuara e dëmtojnë mikrobiomën, ndërsa ushqimet me fibra dhe lëndë ushqyese ndihmojnë. Dhe jo vetëm fibra: ai thotë se duhet edhe kombinimi me ushqime të fermentuara si kos, kefir, kombucha ose uthull që mikrobioma të “marrë mesazhet” e duhura dhe të ulet kërkesa e vazhdueshme për më shumë ushqim.

Në vend të “heqjes” me dhunë të ushqimeve që të pëlqejnë, qasja më e qëndrueshme është balanca dhe vetëdija se si/çfarë ha.

Rregullo ambientin: shtëpia jote të ndihmon ose të pengon
Dizajnerja e brendshme Eryn Oruncak (e certifikuar në neuroestetikë) thotë se sistemi nervor reagon ndaj hapësirës ku jetojmë. Shtëpia duhet të të mbështesë në rutina: një stol te hyrja mund të ta bëjë më të lehtë të veshësh atletet; një dritë më e fortë te tavolina mund të të rrisë fokusin. Ndryshimet e vogla në ambient sjellin ndryshime të mëdha në sjellje sepse ulen pengesat dhe “hapat shtesë”.

Mendo afatgjatë: progresi vlen, edhe kur s’është perfekt
Truri ynë do kënaqësinë e menjëhershme, prandaj shpesh kthehemi te zakonet e vjetra. Por nëse nuk i arrin të gjitha deri në fund të vitit, kjo s’do të thotë dështim. Progresi është progres. Edhe diçka e bërë jo perfekt është më e fortë se diçka që s’u nis kurrë.