Olsi Bylykui ftuar në “Mirëmbrëma Yje”, tregoi se ka fshirë një tatuazh të vjetër që kishte një simbolikë sentimentale mes tij dhe Eglit. Sipas tij, bëhej fjalë për një gjysmë hëne dhe gjysmë dielli. Por sot, ai thotë se e ka transformuar plotësisht, duke e zëvendësuar me një maskë aktrimi.

“Jam penduar për një tatuazh që kam pasur me ish-partneren, e kam ndryshuar. Ka qenë një gjysmë hëne dhe gjysmë dielli. Kam bërë një maskë të aktrimit,” u shpreh ai.

Për tatuazhin në fjalë kishte folur më herët edhe Egli Tako. Në një intervistë të vitit 2023, ajo e kishte përshkruar tatuazhin si një element që, edhe pse fillimisht ishte menduar si “couple tattoo”, me kohën e kishte parë si diçka personale, me kuptim për veten.

“Kam një tatuazh këtu poshtë (te këmba) që janë dallgët e detit dhe perëndimi. Unë e dua shumë perëndimin edhe pse ka qenë një tatuazh ‘couple tattoo’, tani është single tattoo prapë bën shumë sens sepse perëndimi është pamja ime e preferuar në botë. Unë kam diellin, Olsi ka hënën,” kishte thënë Egli, duke e vendosur theksin te simbolika individuale që i kishte mbetur asaj nga ajo shenjë.