Kuzhina vegane po e fiton hapësirën e saj jo vetëm si zgjedhje “e shëndetshme” apo “miqësore me planetin”, por si një territor i vërtetë shijesh ku kreativiteti bën ligjin. Dhe aty ku dikur alternativat konsideroheshin thjesht zëvendësime, sot po shfaqen ide që qëndrojnë më vete. Një prej tyre është edhe “fauxmage”, një lloj djathi vegan, i butë, kremoz dhe i shijshëm, pa asnjë pikë qumështi.

Vëmendja shkon te një formë e vogël “djathi” spalmues, i menduar si shoqërues ideal për aperitivë ndryshe. Ideja është e thjeshtë: të krijosh të njëjtën ndjesi të një kremi të kripur e të pasur, por me përbërës bimorë që japin strukturë dhe intensitet.

Receta parashikon një formë rreth 150 gramë dhe nis me tahinin, baza që i jep trup dhe shije. Për teksturën kremoze dhe atë ndjesinë “të plotë” përdoret vaj kokosi, që shkrihet lehtë dhe më pas përzihet me masën. Shija e “djathit” ndërtohet me maja ushqimore në fletëza, pak lëng limoni dhe shëllirë ullinjsh të gjelbër, të cilat sjellin një kripësi të këndshme dhe atë prekje “të fermentuar” që mungon zakonisht në alternativat vegane.

Përgatitja është e drejtpërdrejtë. Së pari shkrihet butësisht vaji i kokosit dhe lihet mënjanë. Në një enë përzihen tahina, lëngu i limonit, majaja ushqimore dhe shëllira e ullinjve. Kur masa të jetë bërë homogjene, shtohet vaji i shkrirë dhe pak kripë, duke e përzier me kujdes që të inkorporohet pa u ndarë përbërja. Më pas, masa hidhet në një enë të vogël të lyer lehtë që të shërbejë si kallëp, mbulohet dhe lihet në frigorifer të paktën dy orë, derisa të mpikset dhe të marrë formë.

Servreni si pjesë e një tavoline aperitivi: mbi bukë të thekur, me arra, apo si krem shoqërues për perime të pjekura dhe krisur. Sugjerimi është që sasitë të respektohen me kujdes, veçanërisht limoni dhe shëllira, sepse nëse teprohet, masa mund të ndahet dhe të humbasë kremositetin e saj.