
Nëse po planifikoni një vizitë në Romë në ditët e para të shkurtit, ka një ndryshim që do t’ju prekë direkt te një nga pikat më ikonike të qytetit. Duke nisur nga 2 shkurti 2026, hyrja për ta vizituar nga afër Fontana di Trevi do të bëhet me biletë me pagesë. Masa vjen pas një periudhe testimi që zgjati rreth një vit, nga dhjetori 2024 deri në fund të vitit 2025, me synimin për të menaxhuar më mirë fluksin e njerëzve, për të ulur mbipopullimin dhe për të përmirësuar përvojën e vizitorëve, pa rrezikuar integritetin e monumentit.
Ideja e aksesit me biletë ndryshon logjikën e zakonshme të “turmës së ngjeshur” përpara Fontana di Trevi. Në vend të një hapësire ku njerëzit shtyhen për një foto, parashikohet hyrje e kontrolluar dhe me numër të kufizuar vizitorësh, që do ta bëjë zonën më të qetë dhe më të rregullt. Paralelisht, janë menduar edhe ndërhyrje për organizimin e rrjedhës së lëvizjes, përfshirë elemente mbrojtëse dhe orientuese përgjatë perimetrit të poshtëm të fontanës. Këto struktura janë konceptuar që të harmonizohen me ambientin ekzistues dhe të jenë të kthyeshme, pra pa ndërhyrë në mënyrë të pakthyeshme te vetë vepra.
Bileta do të kushtojë 2 euro. Ajo mund të blihet online në faqen zyrtare të dedikuar, në hyrje të Fontanës së Trevit vetëm me kartë pagese, si edhe në pika të tjera si muzetë civikë, pikat turistike të informacionit dhe shitës të autorizuar, ku pranohet edhe pagesa në cash ose me kartë. Biletat e blera më herët nuk kanë datë dhe orar të caktuar, por nuk parashikohen rimbursime apo ndryshime.
Ka edhe kategori që përjashtohen nga pagesa. Hyrja falas lejohet për banorët e Romës dhe të Qytetit Metropolitan me dokument identifikimi, për fëmijët nën 6 vjeç, për personat me aftësi të kufizuar dhe shoqëruesin e tyre, si edhe për guidat turistike.
Sa i përket orareve, vizitat do të zhvillohen me fashë të përcaktuar gjatë javës. Çdo të hënë dhe të premte, hyrja do të jetë nga ora 11:30 deri në 22:00, ndërsa ditët e tjera nga ora 09:00 deri në 22:00. Për datën 2 shkurt 2026, ditën e parë të zbatimit të biletës me pagesë, orari do të jetë 09:00–22:00. Në të gjitha rastet, hyrja e fundit lejohet deri në 21:00. Autoritetet bëjnë të ditur se, në varësi të mirëmbajtjes apo ngjarjeve të jashtëzakonshme, oraret mund të ndryshojnë në ditë të caktuara.
Në praktikë, kjo do të thotë që Fontana di Trev mbetet e vizitueshme, por jo më si një hapësirë e hapur pa kontroll. Për turistët, është një kosto minimale, por një ndryshim i madh në mënyrën si përjetohet monumenti: më pak rrëmujë, më shumë rend dhe, të paktën në teori, një afërsi më e denjë me një nga simbolet më të fotografuara të Romës.
