
“Dikush që merret me audion, e bën punën si duhet”, shkruanin përdoruesit në rrjete sociale, teksa në sfond dëgjohej kënga që shoqëroi hyrjen e yllit britanik në skenë, pak para se të shpallte çmimin më të lakmuar të mbrëmjes: Albumin e Vitit. Ja çfarë u dëgjua, dhe pse, sipas publikut online, ishte zgjedhja perfekte për të.
Harry Styles është zyrtarisht “i rikthyer në radar”. Pas publikimit të këngës së re Aperture, njoftimit të albumit që pritet më 6 mars, Kiss All the Time. Disco, Occasionally, dhe zbulimit të disa datave të turit të ardhshëm, ai u rikthye edhe në skenat më prestigjioze. Mes tyre, natyrisht, edhe ajo e Grammy Awards 2026, ku këtë vit u shfaq si prezantues, në një datë që e bënte momentin edhe më simbolik: ditëlindja e tij e 32-të.
Atij i ra nderi të shpallte një nga çmimet kryesore të natës: Albumi i Vitit, që u fitua nga DeBÍ TiRAR MáS FOToS i Bad Bunny. Reagimi i artistit portorikan u konsiderua ndër momentet më emocionuese të ceremonisë: u ndal për pak sekonda, sikur donte të kuptonte peshën e asaj që sapo ndodhi, pastaj u ngjit në skenë, përqafoi Styles dhe mori çmimin. Në fjalën e falënderimit, ai nuk la pa shprehur edhe një qëndrim të qartë për klimën politike dhe sociale në Shtetet e Bashkuara.
Fansat “chronically online” gjetën menjëherë edhe një detaj tjetër për të bërë zhurmë: në atë skenë, në atë moment, ishin dy ish-at e Kendall Jenner. Dhe nëse modelja ka ironizuar së fundmi, në një spot për Super Bowl, për të ashtuquajturin “mallkimi Kardashian” (teoria e rrjeteve që thotë se meshkujt që lidhen me të ose me motrat e saj “janë të dënuar” të dështojnë), atëherë Styles dhe Bad Bunny duken si argumenti më i mirë kundër legjendës: dy karriera që, të paktën publikisht, po ecin vetëm përpara.
Por detaji që e çoi realisht internetin në ekstazë ishte një tjetër. Harry Styles u ngjit në skenë i shoqëruar nga kënga “e duhur”, sipas publikut.
Jo ndonjë hit i vjetër i tij, as singli i ri. Në sfond po luante WHERE IS MY HUSBAND! e Raye, dhe rrjetet sociale këmbëngulnin se nuk mund të kishte zgjedhje më të saktë. Pse? Sepse për shumë njerëz, Styles nuk është më thjesht “internet boyfriend”. Në imaginatën e fandom-it, ai është kthyer në një lloj “bashkëshorti muzikor”: një marrëdhënie platonike besnikërie që mbijeton si në sukses, ashtu edhe në pauzat e gjata.
Dhe pauza, realisht, ka qenë e gjatë. Prandaj titulli “Where is my husband?” u lexua si një shkelje syri për fansat: ajo pyetje që tërhiqet zvarrë gjatë pritjes, ajo ndjesi se “ku je, pse vonove?”, ai humor i ëmbël që e fsheh mungesën.
Ishte zgjedhje ironike, e menduar me vetëdije, apo thjesht rastësi? Ajo që duket e sigurt është se kjo hyrje në skenë, falë një këngë në sfond, u kthye në një moment viral. Dhe interneti, siç di ta bëjë gjithmonë, po kërkon “rritje rroge” për mendjen që e mendoi këtë detaj.
