
Prime i së shtunës në Big Brother VIP Albania solli një kthesë të fortë në dinamikat e shtëpisë, duke shënuar fundin e aleancës mes Mirit dhe Selinës, një raport që deri pak ditë më parë dukej i qëndrueshëm dhe i sigurt.
Krisja që ishte ndjerë prej ditësh u konkretizua me një distancim të ftohtë nga Selina, e cila ka zgjedhur hapur t’i afrohet Gimbos, duke e lënë Mirin jashtë orbitës së saj. Ky ndryshim i papritur u lexua menjëherë si prishje e një marrëveshjeje loje dhe, në këndvështrimin e Mirit dhe mbështetësve të tij, si një lëvizje që sakrifikon miqësinë për interesa të reja, qoftë romancë apo strategji.
Ndërkohë, edhe pse Miri brenda shtëpisë nuk e dramatizoi situatën me përplasje të mëdha, jashtë saj reagimi erdhi shpejt dhe me simbolikë të fortë. Landi Hysi publikoi një foto ku shfaqet një burrë i etiketuar si Miri me gjarpërinj rreth qafës, ndërsa njëri prej tyre e kafshon në faqe.
Postimi shoqërohej me mbishkrimin “Dita e 56 më në fund”, një nënkuptim i qartë se, sipas Landit, pritja dhe durimi morën fund dhe se “maskat ranë” pas gati dy muajsh.

