
Ilary Blasi po martohet. Njëzet e një vjet pas martesës me Francesco Totti, moderatorja ka zgjedhur një InstaStory për ta ndarë me shumë gëzim lajmin se ka marrë propozimin nga i dashuri i saj, Bastian Müller. Propozimi ka ardhur në Paris, ditën e Shën Valentinit, shoqëruar me një foto ku Ilary duket e emocionuar dhe ku në plan të parë spikat një unazë e mrekullueshme, dhuratë e partnerit në atë moment romantik. Një dhuratë që, praktikisht, shënon nisjen e një kapitulli të ri në jetën e saj, edhe pse Blasi ende nuk është zyrtarisht e divorcuar nga Francesco Totti, pasi seanca vendimtare është caktuar për në mars të këtij viti.

Sipas zërave të njerëzve të informuar, kjo nuk është hera e parë që gjermani i ka dhuruar një diamant moderatores. Thuhet se e ka bërë edhe në vitin 2023 në St. Moritz, por edhe në maj 2025 gjatë një shëtitjeje në liqenin e Comos. Dhe tani sërish, në Francë. Këtë herë, megjithatë, duket se ka një kuptim tjetër, aq sa Ilary ka dashur ta tregojë hapur, duke shtuar edhe dedikimin “My Forever Valentine”, që tingëllon si një pikë mbërritjeje për një lidhje për të cilën, të themi të drejtën, jo të gjithë kishin vënë bast në fillim.
Në dokumentarin që Netflix i kushtoi asaj, “Unica”, Ilary kishte thënë se nuk ka paragjykime ndaj martesës. “Thonë që e dyta është edhe më e bukur”, shprehej ajo para kamerave. Sot, kjo fjali tingëllon krejt ndryshe, edhe pse beteja ligjore me ish kapitenin vazhdon pa u ndalur. Ndërkohë, Ilary Blasi dhe Francesco Totti duket se përpiqen të jetojnë jetët e tyre, pa u lënë tepër të kushtëzuar nga përplasjet dhe proceset në gjykatë.
