
Të presësh flokët i bën më të fortë dhe më të shëndetshëm? Dhe mbi të gjitha: a rriten më shpejt dhe më të dendur? Fatkeqësisht, përgjigjja është jo.
Arsyeja është shumë e thjeshtë: fija e flokut nuk është ind i gjallë. Ndërhyrja në gjatësi, në majë apo në strukturën e jashtme të fijes nuk ndikon tek ajo që është realisht përgjegjëse për rritjen, pra tek folikuli.
Ku rritet në të vërtetë floku?
Folikulat ndodhen rreth 2 deri në 4 milimetra nën sipërfaqen e lëkurës. Aty formohet dhe rritet floku. Në momentin që del mbi epidermë dhe bëhet i dukshëm, ai është tashmë ind i vdekur.
Kjo do të thotë që çdo gjë që bëjmë në pjesën e jashtme të flokut nuk ndikon në shpejtësinë e rritjes apo në strukturën e brendshme të tij. Prandaj është thelbësore të kujdesemi për skalpin dhe rrënjën, nëse duam një flok më të shëndetshëm dhe më të fortë.
Sa shpejt rriten flokët?
Mesatarisht, flokët rriten rreth 1 centimetër në muaj. Ritmi i rënies dhe i rifillimit të ciklit të rritjes përcaktohet kryesisht nga gjenetika. Në kodin tonë gjenetik është e përcaktuar edhe gjatësia maksimale që flokët mund të arrijnë. Kjo është arsyeja pse disa persona nuk arrijnë kurrë gjatësi shumë të mëdha, pavarësisht kujdesit.
Ky ritëm është i vështirë për t’u ndryshuar dhe sigurisht nuk ndryshon thjesht duke i prerë flokët. Flokët nuk janë as bar, as bimë që rriten më shpejt sa më shumë t’i presësh.
Pse duket sikur flokët rriten më shpejt pas prerjes?
Edhe pse prerja nuk ndikon në rritje, ajo mund të krijojë një efekt vizual. Duke hequr majat e dëmtuara dhe të dyzuara, flokët duken më të plotë dhe më të njëtrajtshme.
Sidomos nëse përdorim shpesh piastrën, mashën apo i ngjyrosim rregullisht, fijet bëhen më të brishta sa më shumë afrohemi drejt majave. Sa më larg nga rrënja, aq më delikate bëhet fija, prandaj edhe thyhet më lehtë.
Kur presim pjesën e dëmtuar, flokët duken më të dendur dhe më kompakte. Me kalimin e kohës, teksa rriten, duken më të shëndetshëm. Kjo krijon përshtypjen se rritja është përmirësuar, por në fakt është thjesht një iluzion optik.
Cila është zgjidhja reale?
Çelësi është kujdesi. Nuk është e nevojshme t’i presim shumë shpesh flokët, sidomos nëse duam t’i rrisim. Ajo që ka rëndësi është të mbajmë fijën në gjendjen më të mirë të mundshme, të ushqehemi mirë dhe të kujdesemi për skalpin.
Produkte që stimulojnë skalpin, trajtime forcimi, serume kundër rënies dhe një rutinë e balancuar janë shumë më efektive sesa prerja e shpeshtë.
Në fund, nëse duam flokët e gjatë dhe të shëndetshëm, duhet të punojmë tek rrënja, jo tek maja.
