
Drama e familjes Beckham duket se po kalon edhe në muzikë. Cruz Beckham ka ndezur rrjetet me një këngë të re të papublikuar, “Loneliest Boy”, që fansat po e interpretojnë si një “goditje” ndaj vëllait të madh, Brooklyn Beckham, në mes të tensioneve që prej kohësh po qarkullojnë publikisht brenda familjes.
Cruz, 21 vjeç, është aktualisht në turne në Mbretërinë e Bashkuar dhe e ka kënduar këtë këngë live në disa ndalesa. Pikërisht aty, tekstet e saj melankolike u bënë menjëherë subjekt diskutimi, sepse përmendin një “djalë të vetmuar” që po i “thyen zemrën” mamasë. Një varg që i bëri fansat të lidhin menjëherë personazhin e këngës me Brooklyn-in, duke qenë se prej muajsh raportohet se marrëdhënia e tij me familjen është e ftohtë.
Në tekst thuhet se “mama nuk flet shumë”, por dhimbja e saj “duket në gjërat e vogla që ti nuk i bën”. Ka edhe vargje të tjera që e bëjnë mesazhin më të ashpër: një “loneliest boy” që “gjithmonë gjen diçka të keqe te dikush i mirë”, si edhe një thirrje: “Shpresoj që po dëgjon, mos i largo të gjithë miqtë, kur ne po përpiqemi të të tregojmë dashuri.”
Përtej interpretimit të fansave, raportimet në Britani kanë thënë më herët se Victoria Beckham është “zemërthyer” nga distanca e Brooklyn-it me familjen. Dhe pikërisht kjo e bën këngën të duket edhe më “personale” për publikun që e ndjek këtë histori.
Nuk është hera e parë që Cruz duket sikur hedh kunja në drejtim të vëllait. Vetëm javën e kaluar ai postoi një video në TikTok ku gatuante një supë me bacon dhe patate, dhe fansat e lexuan si tallje për Brooklyn-in, i cili bën përmbajtje gatimi dhe ka lançuar edhe markën e tij të salcës pikante “Cloud23”. Në përshkrim, Cruz kishte shkruar diçka në stilin: “Do të shohësh videon më të mirë të gatimit? Atëherë mos e shiko këtë.”
