Pas dhjetë ditësh në hapësirën e thellë, rikthimi në Tokë nuk është thjesht një ulje në oqean. Është një rikthim i trupit në një realitet që nuk i përket më plotësisht. Misioni Artemis II ka sjellë jo vetëm një hap përpara në eksplorimin e hapësirës, por edhe një dokumentim të rrallë mbi atë që i ndodh organizmit njerëzor kur largohet nga graviteti, nga ritmi i ditë-natës dhe nga mbrojtja natyrore e planetit.

Kur kapsula Orion u ul në Paqësor, ekuipazhi Reid Wiseman, Victor Glover, Christina Koch dhe Jeremy Hansen solli me vete diçka më shumë se një sukses teknik. Ata sollën një trup që kishte jetuar për dhjetë ditë në një dimension tjetër.

Në mungesë të gravitetit, trupi fillon të rishpërndahet nga brenda. Lëngjet ngjiten drejt kokës, fytyra fryhet lehtë, zemra punon më pak, enët e gjakut humbasin tonusin e tyre. Dhe kur kthehesh në Tokë, është sikur sistemi duhet të mësojë nga e para të qëndrojë në këmbë. Marramendja, rënia e tensionit, një ndjesi dobësie që nuk lidhet me lodhjen, por me një trup që ka harruar përkohësisht gravitetin.

Edhe ekuilibri tradhton. Sistemi vestibular, ai mekanizëm i heshtur që na mban drejt, në hapësirë humbet referencën kryesore. Nuk ka më “poshtë” dhe “lart”. Truri krijon një mënyrë të re për të lexuar botën. Dhe kur rikthehesh, informacioni ndryshon sërish. Për disa ditë, gjithçka duket e pasigurt: hapat, orientimi, vetë ideja e hapësirës.

Por ajo që nuk shihet, është më e thellë. Në hapësirë, astronautët janë të ekspozuar ndaj rrezatimit kozmik në formën e tij më të pastër. Grimca që vijnë nga supernova të largëta kalojnë përmes trupit, ndërhyjnë në inde, prekin ADN-në. Sistemi imunitar dobësohet, disa viruse të fjetura mund të riaktivizohen, ndërsa palca e kockave – fabrika e gjakut – bëhet një nga pikat më të ndjeshme ndaj këtij ekspozimi.

Edhe truri nuk mbetet i paprekur. Lëngu cerebrospinal zhvendoset drejt kokës, duke rritur presionin intrakranial dhe duke ndikuar në shikim. Një sindromë që në mjekësinë hapësinore tashmë ka një emër: SANS. Një kujtesë që edhe perceptimi, ai që e marrim si të mirëqenë, është i lidhur me Tokën më shumë sesa mendojmë.

Megjithatë, në një mision dhjetëditor si ky, shumica e këtyre ndryshimeve janë të kthyeshme. Trupi rikuperon. Muskujt riforcohen. Ekuilibri rikthehet. Por jo gjithçka zhduket plotësisht. Dëmet në nivelin e ADN-së, ndryshimet epigjenetike, janë më të heshtura dhe më të gjata në kohë. Disa prej tyre, siç kanë treguar studime të mëparshme, mund të qëndrojnë edhe muaj pas kthimit.

Ajo që ndryshon më shumë, ndoshta, është mënyra si e kuptojmë trupin. Misione si ky nuk janë vetëm eksplorim gjeografik, por edhe një zhvendosje në mënyrën si mjekësia e sheh njeriun: jo më si një sistem që reagon ndaj sëmundjes, por si një organizëm që monitorohet, parashikohet dhe menaxhohet në kohë reale.

Sepse në fund, hapësira nuk sfidon vetëm teknologjinë. Sfida e vërtetë është kjo: sa larg mund të shkojë trupi pa humbur kujtesën e Tokës.