Një studim i publikuar në Cancer Research Communications dhe i realizuar nga Sylvester Comprehensive Cancer Center ka analizuar mbi 4 milionë diagnoza në SHBA, duke dalë në një përfundim që tërheq vëmendjen: personat që nuk janë martuar kurrë rezultojnë me norma më të larta të disa llojeve të kancerit.

Në shifra, diferencat nuk janë të vogla. Tek burrat që nuk janë martuar, rreziku i përgjithshëm rezulton rreth 70% më i lartë krahasuar me të martuarit. Tek gratë, kjo diferencë shkon deri në 85%. Në disa raste specifike, hendeku bëhet edhe më i theksuar, si te disa lloje tumoresh që shfaqen shumë më shpesh tek personat që jetojnë vetëm.

Por këtu duhet bërë ndalesa e parë: martesa nuk është “mbrojtje biologjike”. Nuk ka asnjë mekanizëm që e lidh direkt një unazë me një qelizë më të shëndetshme.

Ajo që studimi në fakt nxjerr në pah është diçka tjetër, shumë më reale dhe më e prekshme: ndikimi i jetës sociale në shëndet.

Njerëzit e martuar, në mesatare, kanë më shumë stabilitet. Kanë dikë që i shtyn të bëjnë kontrolle, që i kujton për shëndetin, që i vëren kur diçka nuk shkon. Kanë më shumë gjasa të kenë rutina më të rregullta, më pak izolim dhe shpesh një akses më të mirë në sistemin shëndetësor.

Ndërsa në anën tjetër, ata që nuk janë martuar mund të jenë më të ekspozuar ndaj faktorëve të rrezikut: më pak kontrolle, më shumë stres, më pak mbështetje në momentet kyçe.

Pra, nuk është martesa ajo që të “mbron”. Është rrjeti që krijon rreth teje.

Edhe vetë studiuesit e theksojnë këtë: statusi civil është vetëm një tregues, jo shkaku. Madje, studimi nuk arrin të dallojë plotësisht mes atyre që janë beqarë dhe atyre që janë në marrëdhënie të qëndrueshme pa u martuar – një detaj i rëndësishëm që tregon se lidhja njerëzore ka më shumë peshë sesa vetë institucioni.

Mesazhi që del prej këtij kërkimi është shumë më pak romantik, por më i vërtetë: shëndeti nuk lidhet me statusin në letër, por me mënyrën si jeton, me kujdesin që merr dhe me njerëzit që ke pranë.