
Mbrëmjen e 30 qershorit, qielli do të ndriçohet nga e ashtuquajtura “Hëna e luleshtrydhes”, një nga fenomenet më interesante astronomike të vitit.
Pavarësisht emrit të saj, Hëna nuk do të shfaqet në ngjyrë rozë apo të kuqe. Emërtimi vjen nga popujt indigjenë të Amerikës së Veriut, veçanërisht nga fiset Algonquin, të cilët i pagëzonin hënat e plota sipas ndryshimeve stinore. Kjo hënë shënonte periudhën e shkurtër të vjeljes së luleshtrydheve.
Në momentin e lindjes, Hëna pritet të ketë një nuancë të artë ose të verdhë pranë horizontit, ndërsa më vonë do të marrë ngjyrën e saj të zakonshme të bardhë. Ky efekt krijohet nga atmosfera e Tokës, e cila shpërndan dritën blu dhe bën më të dukshme tonet e ngrohta, si portokallia dhe e kuqja.
Ajo që e bën edhe më të veçantë “Hënën e luleshtrydhes” është fakti se do të shfaqet shumë pranë horizontit, për shkak të afërsisë me solsticin e verës në Hemisferën Veriore. Kjo krijon edhe një iluzion optik, duke e bërë Hënën të duket më e madhe se zakonisht.
Për të apasionuarit pas astronomisë dhe të gjithë ata që duan të shijojnë një mbrëmje ndryshe, nesër është momenti ideal për të ngritur sytë nga qielli dhe për të shijuar këtë spektakël natyror.
