
Një trend i ri në rrjetet sociale po tërheq vëmendje: “bedtime stacking”. Duket se kjo është një mënyrë që kombinon relaksin me produktivitetin, por ekspertët e gjumit paralajmërojnë se mund të jetë i dëmshëm për gjumin.
Ky koncept, i bërë viral nga përdoruesja e TikTok-ut Linnéa Pham, nënkupton që të shkosh në shtrat herët madje rreth orës 20:30, por jo për të fjetur menjëherë.
Përkundrazi, ideja është të marrësh me vete në shtrat një sërë aktivitetesh dhe objektesh: laptop, tablet, libra elektronikë, kremra, ushqime të lehta, telekomandë apo edhe një ditar.
Sipas këtij trendi personi duhet që të përfundojë detyrat apo rutinat personale në një ambient të rehatshëm, pa pasur nevojë të lëvizësh nga krevati. Disa e konsiderojnë këtë si një formë “stacking” të zakoneve pra bashkimin e disa aktiviteteve në një moment të vetëm.
Megjithatë, specialistët e gjumit nuk e mbështesin këtë praktikë. Ata theksojnë se përdorimi i pajisjeve elektronike në shtrat mund të ndikojë negativisht në ritmin cirkadian, duke e bërë më të vështirë fjetjen dhe duke ulur cilësinë e gjumit.
Po ashtu, ngrënia në shtrat konsiderohet jo vetëm e pashëndetshme, por edhe problematike nga ana higjienike, pasi mund të tërheqë insekte dhe të krijojë papastërti.
Në fund, këshilla mbetet e thjeshtë, krevati duhet të përdoret kryesisht për gjumë në mënyrë që trupi ta lidhë atë me pushimin dhe jo me aktivitetet e përditshme.
