
Shumë biznese të reja nuk dështojnë për shkak të mungesës së ideve, por për shkak të gabimeve të vogla që bëhen në fillim dhe që me kalimin e kohës kthehen në probleme serioze.
Nga mungesa e planifikimit të qartë, te menaxhimi i dobët i financave apo moskuptimi i tregut, këto gabime mund të ndikojnë drejtpërdrejt në suksesin e një biznesi.
Në këtë artikull do të shohim gabimet më të zakonshme që shkatërrojnë një biznes të ri dhe si mund t’i shmangni ato për të ndërtuar një bazë të fortë dhe të qëndrueshme për suksesin tuaj.
1. Shpenzojnë shumë para që në fillim
Disa sipërmarrës që hapin një biznes të ri e nisin duke bërë blerje pajisjesh të shtrenjta, zyrë luksoze para se të kenë klientët e parë.
Për të shmanur këtë duhet të filloni me minimumin e nevojshëm. Investoni në gjëra që sjellin klientë dhe të ardhura, jo në imazh, pasi këtë të fundit mund ta përmirësoni më vonë kur biznesi të nis që të ketë fitime.
2.Nuk llogarisin koston reale te fillimit
Shumë sipërmarrës nënvlerësojnë koston fillestare. Harrojnë taksat, sigurimet, softuerin, mirëmbajtjen dhe koston e jetës së tyre për 6-12 muajt e parë.
Por, për ta shmangur këtë, ju duhet të llogarisni të gjitha kostot, të shtoni 30% ekstra për situata të papritura dhe duhet të siguroheni që keni rezervë për të paktën 6 muaj pa të ardhura.
3. Nuk hulumtojnë tregun
Ditët e sotme shumë sipërmarrës hapin biznesin e tyre bazuar në supozime personale, pa verifikuar nëse ka kërkesë reale në treg. 'Mua më pelqen, edhe të tjerëve do t'u pëlqejë' nuk është strategji.
Fillimisht duhet të bëni hulumtim tregu, si anketa, intervista me klientë potencialë, të analizoni konkurrencën dhe të verifikoni kërkesën para se të investoni.
4. Presin rezultate të menjëhershme
Sipërmarrësit e rinj zakonisht presin që nga biznesi i tyre i ri të fitojë të ardhura që në muajin e parë. Kur kjo nuk ndodh, demoralizohen dhe heqin dorë.
Prandaj është e rëndësishme që të planifikoni për të paktën 12-18 muaj para se biznesi të bëhet fitimprurës. Durimi është cilësi e domosdoshme.
5. Nuk kanë strategji marketingu
Një sipërmarrës i ri mendon se 'produkti i mirë shitet vetë'. Por, në realitet, edhe produkti më i mirë nuk ka se si të arrijë tek klientët pa marketingun e duhur.
Caktoni të paktën 10% të buxhetit për marketing. Filloni me rrjetet sociale që janë falas dhe gradualisht shtoni reklama të paguara.
