
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas zhvillimeve më të fundit në procesin e integrimit europian, duke deklaruar se Shqipëria ka hyrë në fazën përmbyllëse të negociatave për anëtarësim në BE.
Në një postim në Facebook, Rama akuzoi kundërshtarët politikë se kanë tentuar të dëmtojnë imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare, duke pretenduar se negociatat ishin bllokuar dhe se Shqipëria ishte ndëshkuar nga Europa.
Sipas Ramës, më 26 maj në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE do të vulosë me sukses fazën hyrëse dhe do të çelë zyrtarisht fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit.
'Thanë negociatat u bllokuan. Thanë Shqipëria u ndëshkua. Thanë Europa u zgjua dhe narkoregjimi u zbulua. U lëshuan rrugëve me molotovë, për ta djegur Shqipërinë në sytë e të huajve. U lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e të huajve. U gënjyen si gjithnjë nga mendja e tyre dhe gënjyen edhe ata gjithnjë e më të paktë, që shkojnë me atë mendje.
Humbën përsëri. Dhe Shqipëria përsëri fitoi. Më 26 maj në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri – BE vulos me sukses fazën hyrëse dhe çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit. Sepse ndryshe nga si e përflasin ditë e natë ata që gjithnjë humbasin në fund, Shqipëria Europiane që po ndërtojmë është një histori suksesi, e cila shkruhet me vizion, punë e përkushtim, hap pas hapi, e në fund gjithnjë fiton.
Kjo është një tjetër ditë krenarie për Shqipërinë, për skuadrën tonë të madhe, për të gjitha repartet e saj në çdo pjesë të fushës së përgjegjësive publike, për shumicën parlamentare, për qeverinë, për institucionet e pavarura, e sigurisht për ata që i përfaqësojnë ato në tryezën e negociatave për Shqipërinë 2030 në BE. Urime të gjithëve e mbi të gjitha faleminderit çdo shqiptari e shqiptareje, që na beson e na mbështet në rrugën e këtij misioni historik. Forca Shqipëria!', shkruan ai.
