Besimtarët myslimanët nesër do të kremtojnë festën e Kurban Bajramit. Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, mijëra besimtarë myslimanë pritet të mblidhen në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë për faljen e Namazit.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka bërë publik programin e ceremonisë, që nis në orën 06:00 me leximin e Kuranit dhe vijon me mesazhet e drejtuesve të KMSH-së.

Namazi i Bajramit do të falet në orën 06:30, ndërsa ligjërata do të mbahet nga Myftiu i Tiranës, Bilal Teqja.

Besimtarëve u është kërkuar të marrin me vete sixhade për të qenë sa më komod gjatë faljes, ndërsa më pas pritjet tradicionale do të zhvillohen në selinë e KMSH-së deri në mesditë.

Ndërkohë, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka përcjellë mesazhin e tij me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke e cilësuar atë si një nga festat më të rëndësishme të besimit islam dhe një simbol të sakrificës, bindjes ndaj Zotit dhe dashurisë për njeriun.

“Kurban Bajrami është një ndër festat më të rëndësishme të besimit islam. Është festa e sakrificës, e bindjes ndaj Zotit, solidaritetit dhe dashurisë ndaj njeriut. Ajo na rikujton shembullin e Profetit Ibrahim, i cili tregoi besim, durim dhe përkushtim ndaj Krijuesit”, u shpreh Spahiu.

PROGRAMI I PLOTË I FALJES SË KURBAN BAJRAMIT:

06:00 – Hapja e programit

06:05 – Lexim Kurani, Hafiz Enes Hyka

06:10 – Fjala përshëndetëse e Kryetarit të KMSH-së, H. Bujar Spahiu

06:20 – Ligjëratë nga Nënkryetari i KMSH-së, z. Taulant Bica

06:30 – Falja e namazit të Bajramit, prin Kryetari i KMSH-së

06:35 – Hutbeja e Bajramit nga Myftiu i Tiranës, z. Bilal Teqja.