
Përfitimet e rrushit mund të shkojnë përtej të qenit thjesht një ushqim i shëndetshëm.
Sipas një studimi të publikuar në revistën ACS Nutrition Science, konsumimi i rregullt i rrushit mund të ndryshojë mënyrën se si sillen gjenet, duke i dhënë lëkurës një sistem shtesë mbrojtjeje kundër dëmtimit nga dielli.
Studimi, i udhëhequr nga shkencëtarë në Universitetin Western New England, sugjeron se rrushi mund të nxisë ndryshime në ADN.
Studiuesit ndoqën një grup vullnetarësh, të cilët fillimisht mbajtën një dietë të kufizuar për dy javë për të 'pastruar' organizmin. Më pas, për dy javët e ardhshme, ata konsumuan tre porcioneve rrush në ditë.
Shkencëtarët morën mostra të vogla të lëkurës para dhe pas dietës me rrush, duke i testuar në kushte normale dhe pas ekspozimit ndaj rrezeve ultraviolet (UV).
Në fillim të studimit, secili pjesëmarrës kishte modele të ndryshme të aktivitetit gjenetik. Pas konsumimit të rrushit, këto modele ndryshuan dukshëm, si në kushte normale ashtu edhe pas ekspozimit ndaj UV.
Kur lëkura ekspozohet ndaj rrezeve UV, ajo prodhon një kimikat të quajtur malondialdehid, i cili është shenjë e dëmtimit qelizor. Pas konsumimit të rrushit, pjesëmarrësit shfaqën nivele dukshëm më të ulëta të këtij kimikati.
'Ne tani jemi të sigurt se rrushi vepron si një superushqim dhe ndikon në përgjigjen nutrigjenomike te njerëzit', tha studiuesi John Pezzuto nga Western New England University.
Ai shtoi se përfitimet nuk kufizohen vetëm te lëkura, por mund të ndikojnë edhe në organe të tjera si mëlçia, muskujt, veshkat dhe madje edhe truri.
