
Sot në orën 18:00 në Hungari do të luhet finalja e trofeut më prestigjoz për klube.
PSG-Arsenal është super sfida e luksit, finalja e madhe e Champions League, një “betejë” epike që premton spektakël, ku të parashikosh nuk është e lehtë pasi përballë janë dy ekipe fantastike, kampionët në fuqi të Champions dhe fituesit e freskët të Premier League, kampionatit më të fortë në botë.
Ndeshja do të luhet në Puskas Arena të Budapestit, me kapacitet rreth 67 mijë tifozë. Të dy skuadrat vijnë në këtë finale si kampionet respektive të ligave të tyre, por francezët konsiderohen me pak diferencë si favoritë për të fituar Champions-in. Ekipi i Luis Enrique-s rikuperoi në kohë Ashraf Hakimin dhe Dembele, të cilët janë element kyç të formacionit.
Ndërkohë Arsenal që i dha fund krizës 22-vjeçare pa titullin e Premier League do të ketë të sigurta mungesat e Mikel Merinos dhe Ben White, ndërsa Timber dhe Madueke mbeten në dyshim.
Për të ndjekur finalen e Champions League në Budapest kanë udhëtuar rreth 20 mijë tifozë të Arsenalit, ndërsa për të dy klubet UEFA ka përcaktuar nga 17 mijë bileta për secilin klub.
