
Mbi 26.600 maturantë në të gjithë vendin nisin sot provimet e Maturës Shtetërore 2026, me testin e parë, atë të Gjuhës së Huaj.
Procesi do të vijojë më 9 qershor me provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, më 16 qershor me Matematikën dhe do të përmbyllet më 23 qershor me provimin me zgjedhje.
Në këtë ditë të rëndësishme për maturantët dhe për të gjithë sistemin arsimor, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka përcjellë një mesazh urimi dhe inkurajimi për të gjithë maturantët që i nënshtrohen provimeve të Maturës Shtetërore, si dhe për stafet e institucioneve arsimore që do të ndjekin mbarëvajtjen e këtij procesi.
'Me këtë sprovë që ju do të kaloni sot dhe në tre ditët e tjera të provimeve ju hapni rrugët e jetës suaj, qoftë në sektorin e punësimit e profesioneve të ndryshme që do të zgjidhni, apo në universitetet ku keni dëshirë të vazhdoni studimet tuaja. Kudo nxënësit shqiptarë kanë shkëlqyer, prandaj ju keni punuar fort dhe ia keni dalë me sukses të vini në derën e provimit. Suksesi do të jetë me ju! Mos e humbni besimin, sepse jeni më të mirët”, tha Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro.
Në të gjithë vendin janë 144 qendra provimi në shkolla. Mbarëvajtja e procesit do të mbështetet nga 2087 mësues administratorë dhe 170 monitorues të Ministrisë së Arsimit, ndërsa 650 vlerësues do të angazhohen në korrigjimin e testeve të Maturës Shtetërore.
