
Shumë gra, pa marrë parasysh moshën apo jetën që bëjnë, shpesh thonë frazën “unë nuk jam aq e mirë sa ajo tjetra”. Kjo mund të jetë për pamjen, suksesin, inteligjencën, jetën familjare apo karrierën. Në fillim ky duket si një mendim i thjeshtë, por kur përsëritet shpesh, kthehet në një zakon që ndikon negativisht në mënyrën si e shohin veten.
Krahasimi me të tjerët ndonjëherë mund të duket i dobishëm, sepse mund të të motivojë të përmirësohesh, por kur bëhet i vazhdueshëm dhe obsesiv, ai fillon të krijojë ndjenja inferioriteti, xhelozie dhe pakënaqësie me jetën tënde. Në vend që të të ndihmojë të rritesh, të bën të ndihesh gjithmonë “më pak” se të tjerat.
Sipas psikologëve, një nga arsyet kryesore që ky krahasim është bërë kaq i fortë sot janë rrjetet sociale, ku njerëzit shfaqin vetëm anën më të bukur të jetës së tyre. Kjo krijon iluzionin se të tjerat janë gjithmonë më të suksesshme, më të bukura apo më të lumtura, ndërsa vetja duket sikur mbetet prapa. Gjithashtu, shoqëria shpesh krijon presion që gratë të “ia dalin në gjithçka”, gjë që e shton edhe më shumë ndjenjën e garës mes tyre.
Por, lumturia nuk vjen nga krahasimi me të tjerat, por nga pranimi i vetes dhe fokusimi te jeta jote. Kur ndalon së parë jetën si garë dhe nuk e mat veten me të tjerat, atëherë rritet vetëvlerësimi dhe qetësia e brendshme. Çdo grua ka rrugën e saj dhe nuk ka nevojë të jetë “më e mira” në gjithçka për të qenë e lumtur.
