Spanja po bëhet një nga vendet me jetëgjatësinë më të lartë në botë, ndërsa mjekët dhe kërkimet e reja po nxisin zhvillimin e mjekësisë parandaluese dhe të jetëgjatësisë. Plakja e popullsisë është një nga sfidat më të mëdha demografike dhe shëndetësore të kohës sonë.

Spanja ndodhet në krye të vendeve me jetëgjatësinë më të lartë, me një mesatare që ka arritur tashmë në 84 vjeç. Megjithatë, pas kësaj shifre fshihet një realitet më kompleks, pas moshës 65-vjeçare, pothuajse 50% e jetës së njerëzve kalon nën hijen e sëmundjeve, paaftësisë ose humbjes së pavarësisë funksionale. Po jetojmë më gjatë, por cilësia e jetës në vitet e fundit shpesh lë për të dëshiruar.

Përballë këtij paradoksi mjekësor, inovacioni dhe teknologjia po shfaqen si aleatë të rëndësishëm për të ndryshuar mënyrën se si plakemi. Me përhapjen e informacionit në rrjetet sociale, koncepti i jetëgjatësisë është mbingarkuar me informacione të diskutueshme. Terapi të dyshimta dhe forma ekstreme të “biohacking”-ut – një qasje që synon optimizimin e performancës fizike, mendore dhe jetëgjatësisë përmes shkencës, teknologjisë, ushqimit dhe zakoneve të shëndetshme po përhapen çdo ditë, duke nxitur keqinformimin dhe duke rrezikuar shëndetin e njerëzve.

Përballë kësaj situate, Cristina Spa thekson se shkenca duhet të rikthehet në qendër të vëmendjes. Sipas saj, profesionistët e shëndetit mjekët, infermierët, psikologët dhe nutricionistët duhet të jenë ata që udhëheqin publikun, në mënyrë që teknologjitë e lidhura me jetëgjatësinë të zbatohen në praktikën klinike.

Një tregues i rëndësishëm i këtij ndryshimi është krijimi i grupeve kërkimore për jetëgjatësinë në universitete si ai i Valencias. Kjo i jep fushës mbështetjen akademike të nevojshme dhe hap rrugën që, në të ardhmen, mjekësia e plakjes së shëndetshme të njihet si specialitet më vete.

Ndryshe nga sa mund të mendohet, nuk janë mjekët më të rinj ata që po udhëheqin interesin për këtë fushë, por profesionistët me më shumë përvojë. Pas viteve të punës në sistemin publik shëndetësor, ata e njohin mirë si potencialin, ashtu edhe kufizimet e tij, veçanërisht mungesën e kohës për të ofruar kujdes të personalizuar dhe vërtet parandalues.

Për më tepër, jetëgjatësia është një fushë që prek shumë specialitete. Ajo nuk kufizohet vetëm te dermatologjia apo mjekësia estetike, por ka tërhequr vëmendjen e imunologëve, endokrinologëve, gjinekologëve dhe madje edhe pediatërve. Siç thekson Spa: “Jetëgjatësia ndërtohet që nga dita kur lindim.”

Pajisjet inteligjente dhe të dhënat nga mbingarkesa me informacion te interpretimi profesional
Jetojmë në epokën e të dhënave, orët inteligjente dhe pajisjet e tjera monitorojnë vazhdimisht ritmin e zemrës, cilësinë e gjumit dhe shumë tregues të tjerë shëndetësorë.

Megjithatë, të kesh akses në këto të dhëna nuk do të thotë domosdoshmërisht të kesh shëndet më të mirë. Përkundrazi, ato mund të krijojnë stres nëse nuk interpretohen siç duhet. Sipas Spa, vlera e vërtetë qëndron te interpretimi i personalizuar nga profesionistët e shëndetit. Ata nuk i analizojnë të dhënat sipas mesatareve të përgjithshme, por duke marrë parasysh rrethanat individuale të secilit person, mjedisin, ngarkesën e punës dhe stilin e jetës.

Aktualisht, mjekësia e jetëgjatësisë konsiderohet e kushtueshme dhe jo lehtësisht e aksesueshme. Sistemi aktual shëndetësor është ndërtuar kryesisht për të reaguar ndaj sëmundjeve pasi ato shfaqen, jo për t’i parandaluar ato.

Megjithatë, përballë plakjes së popullsisë, shoqëria civile pritet të luajë një rol të rëndësishëm në nxitjen e politikave që favorizojnë kujdesin parandalues. Me rritjen e kërkesës dhe trajnimin e më shumë specialistëve, kostot pritet të ulen dhe këto shërbime të bëhen më të përhapura.

Në fund, Cristina Spa bën thirrje për më shumë ndërgjegjësim shoqëror. Ashtu si investohen fonde për kërkimin mbi sëmundje të caktuara si kanceri apo Alzheimeri, ajo argumenton se është po aq e rëndësishme të investohet në studimin e plakjes së shëndetshme.

Kuptimi i thellë i mekanizmave biologjikë të plakjes mund të jetë çelësi për të luftuar sëmundjet e lidhura me moshën që në rrënjë dhe për t’u siguruar që vitet e fundit të jetës të jetohen me vitalitet, energji dhe cilësi më të mirë jete.