Vetëm pak javë pas konfirmimit të ndarjes së tyre, Mateo dhe Brikena kanë tërhequr sërish vëmendjen e publikut me një moment që nuk kaloi pa u komentuar.

Mbrëmjen e së dielës, gjatë transmetimit të “Top Arena”, dyshja u gjend në qendër të vëmendjes teksa në studio performonin Bubulina dhe Blondi me këngën “Të dua”. Nën atmosferën romantike të krijuar nga muzika, Mateo vendosi të ftojë Brikenën në një vallëzim që u kthye menjëherë në një nga momentet më të diskutueshme të mbrëmjes.

Të buzëqeshur dhe dukshëm të afërt, ata u panë duke kërcyer së bashku, ndërsa në një moment nuk mungoi as përqafimi që emocionoi publikun në studio dhe para ekranit.

Pamjet kanë bërë menjëherë xhiron e rrjeteve sociale, ku ndjekësit kanë nisur të pyesin nëse mes tyre po ndodh një afrimitet i ri apo nëse bëhet fjalë thjesht për një raport të mirë që ka mbetur edhe pas ndarjes.

Ajo që e bën këtë moment edhe më domethënës është zgjedhja e këngës. Pikërisht “Të dua” është kënga që lidhet me një nga kujtimet më të veçanta të historisë së tyre. Gjatë qëndrimit në “Big Brother”, Mateo kishte zgjedhur këtë këngë për t’i bërë një surprizë Brikenës, në kohën kur romanca e tyre sapo kishte nisur të merrte jetë para publikut.

Për këtë arsye, vallëzimi i mbrëmshëm është interpretuar nga shumë ndjekës si më shumë sesa një moment televiziv. Sidomos pas videos së publikuar pak ditë më parë, ku dyshja u pa në shoqërinë e njëri-tjetrit në një lokal, dyshimet për një rikthim janë shtuar edhe më shumë.

Megjithatë, as Mateo dhe as Brikena nuk kanë reaguar ende për të sqaruar natyrën e raportit të tyre aktual. Deri atëherë, mbetet vetëm një pyetje që po qarkullon kudo në rrjet: a po shkrihen akujt mes tyre?