
Për dekada me radhë, suksesi është lidhur me pagat e larta, pozitat prestigjioze dhe orët e gjata të punës. Por, brezat e rinj po e ndryshojnë këtë mënyrë të të menduarit.
Sipas një studimi, gjithnjë e më shumë të rinj nga Gen Z dhe Millennials thonë se preferojnë një jetë me më pak stres, më shumë kohë për veten dhe një balancë më të mirë mes punës dhe jetës personale, edhe nëse kjo do të thotë të fitojnë më pak para.
Sipas studimit, 82% e punonjësve të Gen Z do të pranonin një pagë më të ulët në këmbim të mbështetjes më të mirë për shëndetin mendor dhe një ekuilibri më të madh mes jetës private dhe asaj profesionale.
Po ashtu, studime të tjera tregojnë se të rinjtë janë gjithnjë e më të gatshëm të largohen nga punët që shkaktojnë stres, lodhje dhe ndikojnë negativisht në mirëqenien e tyre.
Për shumë prej tyre, suksesi nuk matet më vetëm me të ardhurat që një person fiton nga një punë, por edhe me lumturinë dhe qetësinë mendore.
