
Të ndihmosh kolegët është një mënyrë e shpejtë për të fituar besim dhe respekt në punë. Punonjësi që gjithmonë thotë “po” shihet si i besueshëm dhe si shpëtimtari i ekipit kur afatet janë të shkurtra.
Por ky rol, shpesh kthehet në kurth. Me kalimin e kohës, ata që janë tepër bujarë rrezikojnë të mbingarkohen, të mbeten jashtë përparimeve në karrierë dhe ndihen të pakënaqur dhe të shfrytëzuar.
Nga bujaria tek mbingarkesa
Në fillim, “po”-ja sjell mirënjohje. Drejtuesit e shohin punonjësin si të palëkundur, ndërsa kolegët si personin që gjithmonë shpëton situatën.
Por me kalimin e kohës, ky model sjell pabarazi. Puna që duhej të shpërndahej bëhet barrë e një pakice. Performanca bie, krijimtaria venitet dhe lodhja mendore rritet. Në vend që të shihet si lider, personi etiketohei si “ai që gjithmonë ndihmon”.
Humbja e reputacionit
Në mënyrë ironike, të qenët gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar nuk sjell vetëm lodhje, por edhe dëmton perceptimin. Psikologët këtë e quajnë “kurthi i kompetencës”: sa më shumë ndihmon, aq më pak shihet vlera jote strategjike.
Pse thënia e “jo”-së të rrit më shumë
Një nga strategjitë më të fuqishme të karrierës është të mësosh të thuash “jo” me zgjuarsi. Kjo sjellje nuk është egoizëm, por menaxhim prioritetesh. Një “po” e zgjedhur me kujdes vlen shumë më tepër se një “po” e thënë gjithmonë.
Ajo tregon që di të fokusohesh aty ku ka rëndësi, duke fituar respekt dhe besueshmëri. Të thuash “jo” në mënyrën e duhur është edhe një sinjal sigurie. Liderët që mbrojnë kohën e tyre perceptohen si të fortë, të qartë dhe të aftë për të marrë vendime të mëdha.
Si të vendosësh kufij
Refuzimi nuk duhet të dëmtojë marrëdhëniet. Çelësi qëndron te formulimi. Në vend të një “jo”-je të prerë, mund të thuash: “Aktualisht jam i angazhuar me diçka tjetër", ose nëse është e mundur, të sugjerosh një alternativë duke e kaluar detyrën tek dikush tjetër më i përshtatshëm.
