
A ekziston një model që shpjegon se çfarë na bën të paduruar? Dhe nëse do të projektonit një hapësirë ku e dini se njerëzit do të duhet të presin, çfarë do të bënit për të minimizuar padurimin e tyre?
Falë një studimi të publikuar nga psikologia Kate Sweeny e Universitetit të Riverside dhe kolegët e saj, tani kemi disa të dhëna që mund të na ndihmojnë t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve. Në tre studime me gjithsej 1,401 pjesëmarrës, studiuesit krijuan skenarë të ndryshëm hipotetikë për të identifikuar elementet e mjedisit që mund të parashikojnë rritjen e padurimit.
Për shembull, imagjinoni se jeni në kinema dhe një fëmijë pranë jush po bën zhurmë. Një pjesë e pjesëmarrësve shihnin versionin ku prindërit nuk bënin asgjë për ta qetësuar fëmijën, ndërsa të tjerët versionin ku prindërit përpiqeshin maksimalisht ta qetësonin. Kjo u lejoi studiuesve të vlerësonin ndikimin e “fajësisë” së dikujt tjetër në nivelin e padurimit.
Faktorët që parashikojnë padurimin
Sipas studimit, padurimi rritet kur: situata në të cilën ndodhemi gjatë pritjes është e pakëndshme, qëllimi që po përpiqemi të arrijmë është shumë i rëndësishëm për ne, dikush konsiderohet përgjegjës ose fajtor për vonesën, vonesa është më e gjatë sesa kishim pritur.
Interesante është se kohëzgjatja e pritjes, në vetvete, nuk rezultoi faktor vendimtar. Në disa raste, një pritje prej tre ditësh mund të mos shkaktojë padurim, ndërsa në raste të tjera edhe 30 minuta mund të duken të padurueshme.
Nëse tre ditët e pritjes lidhen me përfundimin e blerjes së një shtëpie të re, ndërsa 30 minutat me pritjen në telefon me kompaninë e kabllorit, është e kuptueshme pse njerëzit reagojnë ndryshe.
Një faktor tjetër që studiuesit mendonin se mund të ndikonte ishte sa i dukshëm është kalimi i kohës, për shembull kur kemi pranë një orë të madhe ose telefonin. Megjithatë, pjesëmarrësit nuk mendonin se kjo e rritte ndjeshëm padurimin.
Roli i tipareve të personalitetit
Jo të gjithë reagojnë njësoj ndaj pritjes. Disa zemërohen kur radha ecën ngadalë, ndërsa të tjerët mbeten të qetë.
Studiuesit zbuluan se njerëzit me nivele më të larta të neuroticizmit dhe me një nevojë të fortë për përgjigje ose përfundime të shpejta kanë më shumë gjasa të jenë të paduruar.
Nga ana tjetër, cilësi si: fleksibiliteti, mirëkuptimi, vetëdija, ndërgjegjësimi emocional dhe aftësitë e vetëkontrollit, lidhen me nivele më të larta durimi. Këto janë cilësi që mund të zhvillohen me kalimin e kohës.
Rezultatet kanë shumë përdorime praktike. Në jetën e përditshme mund të na ndihmojnë të kuptojmë paraprakisht nëse një situatë si pritja e rezultateve mjekësore, një bllokim trafiku apo radha në një institucion ka gjasa të na bëjë të paduruar.
Nëse e dimë këtë, mund të përgatitemi më mirë, duke marrë një libër me vete, duke dëgjuar muzikë, duke luajtur lojëra ose duke gjetur mënyra të tjera për të shpërqendruar veten.
Po ashtu, këto gjetje mund të ndihmojnë edhe ata që projektojnë mjedise ku pritja është e pashmangshme, si qendrat e shërbimit, spitalet apo laboratorët.
Në fund, padurimi shpesh ndikon negativisht në mirëqenien tonë. Sa më mirë të kuptojmë sinjalet që e shkaktojnë dhe mënyrat për ta menaxhuar, aq më lehtë mund ta përballojmë pritjen.
