
Shumë njerëz kanë fobi merimangat, lartësitë apo hapësirat e ngushta. Por në psikologji, ekzistojnë qindra lloje fobish specifike që shkojnë shumë përtej frikërave normale.
Një fobi nuk është thjesht një “mos pëlqim”, por një frikë ekstreme, irracionale dhe shpesh e pakontrollueshme, e cila mund të shkaktojë ankth, panik dhe simptoma fizike si rrahje të shpejta zemre, marramendje apo vështirësi në frymëmarrje.
Megjithatë, ekzistojnë edhe fobi shumë më të rralla dhe të pazakonta që duken pothuajse të pabesueshme në jetën e përditshme.
1.Koumpounophobia- frika nga butonat
Kjo fobi lidhet me një ndjenjë të fortë ankthi ose neverie ndaj butonave, veçanërisht atyre të rrobave. Personat që e përjetojnë mund të shmangin veshje me kopsa dhe të ndihen shumë të shqetësuar kur i shohin apo i prekin. Në raste më të rënda, edhe imazhi i thjeshtë i butonave mund të shkaktojë reaksion emocional. Psikologët mendojnë se shpesh lidhet me përvoja të hershme të fëmijërisë ose situata stresuese.
2.Arachibutyrophobia- frika nga gjalpi i kikirikut në qiellzë
Kjo është një nga fobitë më të çuditshme. Nuk është frikë nga gjalpi i kikirikut në vetvete, por nga ndjesia që ai ngjitet në pjesën e sipërme të gojës. Kjo ndjesi mund të shkaktojë panik tek disa persona, sidomos tek ata që kanë pasur përvoja të pakëndshme gjatë ngrënies ose ndjesi mbytjeje.
3.Turophobia – frika nga djathi
Personat me këtë fobi përjetojnë shqetësim të fortë kur shohin, nuhasin apo prekin djathin. Reagimet mund të variojnë nga neveria deri te ankthi i plotë fizik. Në disa raste, frika shtrihet edhe tek ushqime të tjera me pamje të ngjashme, sidomos produkte të buta apo të bardha. Shpesh lidhet me një përvojë negative në fëmijëri.
4.Chromophobia – frika nga ngjyrat
Kjo fobi mund të fokusohet në një ngjyrë të vetme ose në ngjyra të forta në përgjithësi. Disa persona ndihen të mbingarkuar emocionalisht ose të shqetësuar kur ekspozohen ndaj ngjyrave shumë të ndritshme. Studiuesit e lidhin këtë me mënyrën se si truri përpunon stimujt vizualë dhe me ndjeshmëri të lartë ndaj mjedisit.
5. Erythrophobia – frika nga skuqja në fytyrë
Kjo është frika nga momenti kur fytyra skuqet në publik. Për disa njerëz, vetë mendimi se mund të skuqen shkakton ankth, gjë që shpesh e bën skuqjen edhe më të mundshme — një cikël që ushqen vetveten. Kjo fobi mund të ndikojë seriozisht në jetën sociale dhe vetëbesimin.
6.Lachanophobia – frika nga perimet
Edhe pse shumë fëmijë nuk i pëlqejnë perimet, në këtë rast bëhet fjalë për një frikë të vërtetë. Personat me këtë fobi mund të ndiejnë panik ose neveri të fortë vetëm duke parë ose menduar perimet. Shpesh lidhet me frikën nga ndotja, toka ose përvoja negative me ushqimin.
7.Phobophobia – frika nga vetë frika
Një nga fobitë më komplekse. Personat që vuajnë nga ajo nuk kanë frikë nga një objekt specifik, por nga ndjesia e të qenit të frikësuar. Ata mund të shqetësohen vazhdimisht se do të përjetojnë ankth, duke krijuar një cikël të vazhdueshëm frike dhe tensioni emocional.
