
Harry Styles preku zemrat e mijëra fansave gjatë koncertit të tij të fundit në Wembley Stadium, ku nuk i mbajti dot emocionet teksa kujtoi ish-shokun e tij të grupit, Liam Payne.
Artisti 32-vjeçar po mbyll një seri historike prej 12 koncertesh të gjitha të shitura në stadiumin legjendar të Londrës, duke vendosur një rekord për numrin më të madh të performancave të zhvilluara brenda një viti në Wembley.
Në një nga momentet më prekëse të mbrëmjes, Styles ndaloi performancën për t’i falënderuar ish-anëtarët e One Direction, duke përmendur Niall Horan, Louis Tomlinson, Zayn Malik dhe Liam Payne.
“Pa katër miqtë e mi nuk do të isha këtu sonte. Faleminderit Niall, Louis, Zayn dhe mikut tim të dashur Liam,” u shpreh ai mes duartrokitjeve të publikut, ndërsa emocionet ishin të dukshme.
Në stadium ishin të pranishëm edhe familjarët e Liam Payne prindërit Geoff dhe Karen, motra e tij Ruth, si edhe nipi. Payne humbi jetën vitin e kaluar, në moshën 31-vjeçare, pas një aksidenti tragjik në Argjentinë.
Harry Styles u bë i famshëm si pjesë e One Direction, grupi i formuar në “The X Factor”, që u shndërrua në një fenomen global përpara se anëtarët të vendosnin të merrnin një pauzë në vitin 2016.
